Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, ka thënë se nesër (e hënë) do të diskutojë me ministrat e Jashtëm të BE-së se si t’i përgjigjen më mirë kërcënimeve hibride të Rusisë.
Ky njoftim vjen pas dëmtimit të një kablloje nënujore në Detin Baltik, për të cilin Kallas tha se është incidenti i fundit që prek infrastrukturën kritike të shteteve anëtare të BE-së, shkruan KosovaPress.
“Dëmtimi i sotëm i një kablloje nënujore në Detin Baltik është incidenti i fundit që prek infrastrukturën kritike të shteteve anëtare të BE-së. Nesër do të diskutoj me Ministrat e Jashtëm se si të frenojmë dhe t’i përgjigjemi më mirë kërcënimeve hibride në mes të fushatës së intensifikuar të Rusisë”, ka shkruar ajo në X.
Today’s damage to a subsea cable in the Baltic Sea is the latest incident affecting the critical infrastructure of EU Member States.
— Kaja Kallas (@kajakallas) January 26, 2025
Tomorrow, I will discuss with Foreign Ministers how to better deter and respond to hybrid threats amid Russia’s intensified campaign.
Ndryshe, mediat ndërkombëtare kanë raportuar se mëngjesin e sotëm është dëmtuar një kabllo nënujore me fibra optike mes Letonisë dhe Suedisë.
Dëmtimi i kësaj kablloje shënon një incident tjetër në një seri të ngjashme që kanë përfshirë infrastrukturën kritike në Detin Baltik, që kanë ndodhur pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Incidente të tilla pati në tetor 2024, kur një tubacion gazi nënujor që lidhte Finlandën dhe Estoninë u mbyll pasi një spirancë anijeje mallrash kineze e dëmtoi atë. Ndërkaq, muajin e kaluar, dy kabllo telekomunikacioni që lidhin Suedinë dhe Danimarkën u ndërprenë. Këtë të mërkurë, autoritetet finlandeze njoftuan se një kabllo elektrike nënujore që lidh Finlandën dhe Estoninë është dëmtuar po ashtu.