Kandidatja për deputete nga radhët e Guxo, pjesë e listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh shefe e diplomacisë, Donika Gërvalla, në tubimin e sotëm elektoral në Deçan, ka thumbuar ashpër partitë opozitare.
Ajo gjatë fjalimit të saj tha se opozita “nuk dinë dhe nuk duan të qeverisin në Kosovë,” teksa kandidatin për kryeministër nga koalicioni për Kosovën Fituese Ramush Haradinaj e ka quajtur ‘hero të Çakorrit”.
“Ju i njihni mirë ata, që në të kaluarën ju premtuan dhe ju mashtruan, e njihni edhe të ashtuquajturin hero të Çakorrit, i cili sot ju premton anëtarësim në NATO, madje-madje brenda tre muajsh. Ende pa i fshirë fotografitë e tij me Radojçiqin, thotë se kryeministri dhe Qeveria e Kosovës qenka bashkëpunëtore e Serbisë… Në njërën anë Qeveria juaj me Kosovën, e për Kosovën, ndërsa në anën tjetër ata që tepër gjatë kanë dëshmuar që pa Serbinë, as nuk dinë, as nuk duan të qeverisin në Kosovë”, tha Gërvalla.