Hamasi paralajmëron lirimin e ushtareve izraelite

Hamasi paralajmëron lirimin e ushtareve izraelite

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka konfirmuar se Izraeli ka marrë nga një ndërmjetës një listë të burgosurish që Hamasi do t’i lirojë pasnesër dhe Hamasi ka shpallur emrat e katër ushtareve femra izraelite në listë.

“Ne do të lirojmë katër ushtare izraelite të shtunën, më 25 janar 2025,” tha në një deklaratë të shkurtër Abu Obaida, një zëdhënës i Brigadave al-Qassam.

Ai tha se të liruarit do të jenë Karina Ariev (20), Danielle Gilboa (20), Naama Levy (20) dhe Liri Albag (19), të cilat u kapën në fillim të tetorit 2023 në bazën Nahal Oz në Izraelin jugor, kur Hamasi kreu një sulm ndërkufitar.  Detyra e ushtareve izraelite ishte të vëzhgonin aktivitete të dyshimta ushtarake.

Në ditën e parë të armëpushimit, të dielën e kaluar, Izraeli liroi 90 të burgosur palestinezë, ndërsa Hamasi liroi tre të burgosur izraelitë.


Faza e parë e armëpushimit gjashtë-javor në Gaza hyri në fuqi pesë ditë më parë. Plani trefazor për t’i dhënë fund konfliktit përfshin një shkëmbim të të burgosurve me synimin për të arritur një armëpushim të përhershëm.

Shkëmbimi parashikon lirimin e 200 të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite, 50 për çdo ushtar të ushtrisë izraelite të liruar nga Hamasi.

Sipas kushteve të marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit, 33 pengje do të lirohen gjatë gjashtë javëve në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë, raporton AA.

Hamasi gjithashtu duhet të paraqesë një listë me statusin e 26 pengjeve të mbetura të mbajtura në Gaza, të cilët duhet të lirohen në fazën e parë.

Lexo edhe

Video