Osmani: Pjesëtarët e policisë janë mburoja e paqes dhe e lirisë

Osmani: Pjesëtarët e policisë janë mburoja e paqes dhe e lirisë

Gjenerata e 61-të e Policisë së Kosovës hodhën të premten kapelat e tyre dhe u betuan përmes një ceremonie. Bëhet fjalë për 462 policë të rinj që pritet të kontribuojnë në sundimin e rendit dhe ligjit. Prej tyre 56 janë vajza dhe gra.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Policia e Kosovës është një nga shtyllat kryesore të shtetit duke garantuar sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit.

Në ceremoninë e diplomimit, Osmani u shpreh se “krenaria sot është jashtëzakonshme sepse atdheut tonë po i bashkohen edhe 462 gardianë që do t’i dalin zot atdheut tonë”.

Ajo tha se Policia e Kosovës është mburoja e paqes dhe lirisë.

Osmani potencoi se policët janë shtylla e parë e rendit dhe garantuesja e lirisë së secilit qytetar pavarësisht përkatësisë.

” Ky është një moment i jashtëzakonshëm për vajzat dhe djemtë që prej sot bëhen pjesë e njërës nga institucionet më të rëndësishme, më të respektuara dhe më të besueshme të republikës sonë. Me diplomimin e gjeneratës së 61-të ky institucion fuqizohet edhe më shumë duke u pasuruar me një brez të ri që sjell më shumë energji, përkushtim dhe një ndjenjë të thellë të përgjegjësisë ndaj atdheut”, u shpreh Osmani.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se struktura gjinore dhe etnike e kësaj gjenerate të Policisë së Kosovës e tregon strukturën e shoqërisë tonë dhe politikat e shtetit tonë.

Ai potencoi se 462 pjesëtarë të rinj i janë bashkuar Policisë së Kosovës, prej tyre 406 djem e burra dhe 56 vajza e gra.


Kurti tha se zotimi i kësaj qeverie për 2 mijë policë të rinj është përmbushur dhe po tejkalohet.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se diplomimi i kësaj gjenerate është hap i rëndësishëm për Policinë e Kosovës dhe republikën e vendit tonë.

Sveçla u shpreh se diplomimi i gjeneratës së 61-të, bën që Policia e Kosovës do të më e fortë dhe shteti ynë më i sigurt.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës , Gazmend Hoxha u shpreh se  ky institucion është një organizatë multietnike që reflekton përbërjen etnike të shoqërisë kosovare.

Ai u drejtua policëve të rinj duke u thënë se sfidat do të jenë të shumta dhe se nuk do të jetë rrugë e lehtë.

Hoxha potencoi se sipas hulumtimeve viteve të fundit del se Policia e Kosovës është institucioni më i besueshëm i Republikës së Kosovës, duke shtuar se kjo shton edhe me shumë përgjegjësinë e tyre.

Ndërkaq, zëdhënësi i gjeneratës së 61-të të Policisë së Kosovës, Granit Kosumi u shpreh se ky moment i diplomimit është dëshmi e përkushtimit dhe përpjekjeve për të përmbushur me nder dhe dinjitet detyrat që i presin.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim

Lexo edhe

Video