Koalicioni AAK, NISMA, KONSERVATORËT, FORUMI INTELEKTUAL E30, IDEAL, ka mbajtur sonte tubim elektoral në Fushë Kosovë.
Në mungesë të Ramush Haradinajt, kandidatit për kryeministër nga Koalicioni për Kosovën Fituese i cili ndodhet për vizitë në SHBA, nënkryetari i AAK-së Daut Haradinaj akuzoi liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti se gjatë qeverisjes së tij ka përçarë shqiptarët në rajon.
“Kjo qeveri e meriton kartonin e kuq. Përveç që s’bëri asgjë për Kosovën, nuk është e tepërt të themi se qysh e kemi gjendjen në Luginë, si përçau vëllezërit dhe motrat tona në atë pjesë. Sot i kemi pikë e pesë shqiptarët andej… Me Shqipërinë na prishi, atje ka shkuar vetëm dy herë, ndërsa në Greqi mbi 30 herë”, tha Haradinaj.
Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se në koalicionin Kosova Fituese ka njerëz të veprave që kanë lënë gjurmë në shtet-ndërtimin e Kosovës.
Votën e qytetarëve të Fushë Kosovës e kërkuan edhe kandidatët për deputetë të këtij koalicioni nga ky qytet.