Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Valdete Idrizi vizitoi ekspozitën etnologjike “Një Jetë në Gajtan” në Muzeun e Mitrovicës, të kuruar në bashkëpunim me Fondacionin Dhemetra.
“Koleksioni i veshjeve të sipërme të punuara me gajtan nga rajoni i Mitrovicës, të paekspozuara më parë si koleksion i tillë, më magjepsi me simbolikën që kjo ekspozitë përcjell”, shkroi ajo në Facebook.
Idrizi tha se ekspozita ndriçon jo vetëm trashëgiminë kulturore të “rajonit tonë, por edhe lidhjet ndërkulturore që na bashkojnë”.
Muzeun e Mitrovicës ajo e konsideroi pasuri të jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore materiale.
“Si Drejtoreshë komunale për kulturë, rini e sport kam pasur fatin të bashkëpunoj me stafin shumë të përkushtuar. Jam shumë mirënjohëse dhe falenderuese për punën e palodhshme dhe bashkëpunimin që e kemi pasë ndër vite. Unë u zotova edhe para tyre se kultura edhe më tej mbetet prioriteti im, dhe se do të jem përherë bashkëpuntore e ngushtë e tyre”, tha Idrizi.