Arrestohet në Mal të Zi i dyshuari për krime lufte në Kosovë

Arrestohet në Mal të Zi i dyshuari për krime lufte në Kosovë

Marko Abramovic, i cili dyshohet për krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë, është arrestuar në Mal të Zi.

Abramovic është në pritje të vendimit  për ekstradim në Kosovë nga autoritetet malazeze, ka bërë të ditur avokati Arbër Jashari.

“Shpresojmë që gjykatat malazeze të vendosin drejtë e paanshëm dhe të marrin vendim që ai t’iu dorëzohet autoriteteve kosovare. Urojmë që të mos ketë ndikime politike që mund të pengojnë ekstradimin e tij, siç ka ndodhur në disa raste të tjera në të kaluarën”, ka shkruar Jashari.

Sipas raportimeve të mediave, Marko Abramovic është arrestuar më 15 janar 2025.


Ai akuzohet për pjesëmarrje në Masakrën e Mejës.

Ekzekutimi i 370 civilëve nga ushtria paramilitare serbe përbën masakrën më të madhe në luftën e Kosovës, gjatë viteve 1998-1999.

Më 27 prill 1999, forcat paramilitare serbe rrethuan “Reken e Keqe” dhe “Lugun e Carragojës” në rrethinën e Gjakovës. Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës, gjatë viteve 1998-1999.

Martirëve të rënë në këtë masakër iu është ngritur Qendra Përkujtimore – 27 Prilli në Lëndinën e Pikëllimit në fshatin Meje të Gjakovës.

Lexo edhe

Video