Në 25-vjetorin e themelimit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) u tha se Kosova fal këtij institucioni financiar ka arritur të ketë sektor bankar efikas, të shëndosh dhe fitimprurës.
Për ditën e themelimit të BQK-së është organizuar edhe Konferencë Ndërkombëtare e nivelit të lartë me titull “Ndërtimi i urave përtej kufijve, ndërtimi i ardhmërive: Integrimi në SEPA për gjithëpërfshirës financiare – fuqizimi i rritjes dhe reziliencës”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se sektori bankar i Kosovës është më efikasi dhe më i shëndoshi në rajon.
Osmani u zotua se si presidente e vendit është e vendosur të mbrojë pavarësinë e BQK-së me qëllim që ky institucion të mbetet i lirë nga çdo ndikim politik.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili theksoi se ky 25 vjetor këtë institucion e gjen me synimin për anëtarësimin e plotë në Zonën e Unike të Pagesave në Euro (SEPA), i cili do të sillte kosto më të ulëta financiare.
Sipas tij udhëtimi i Bankës Qendrore që nga fundi i luftës në 1999 ka qenë i jashtëzakonshëm.
Guveritaroi Ismaili shprehu përkushtimin e Bankës Qendrore për modernizimin e infrastrukturës financiare të Kosovës.
Në Konferencën Ndërkombëtare të organizuar me rastin e 25-vjetorit të BQK-së përmes një video-mesazhi, drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtarë, Kristalina Georgieva tha se Kosova ka sektor bankar modern dhe fitimprurës.
Guvernator i Bankës Kombëtare të Austrisë, Robert Holzmann tha se Banka Qendrore e Kosovës me mbështetjen e institucioneve ndërkombëtar ka luajtur rol kyç në formësimin e sistemit të shëndosh financiar si për vendin edhe rajonin.
25-vjetori i themelimit të BQK-së ka mbledhur nga vende të ndryshme në Kosovë pjesëtarë dhe udhëheqës të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të Bankës Botërore (BB), zyrtarë të lartë të institucioneve të vendit dhe ndërkombëtar, guvernatorë të bankave qendrore të rajonit e të vendeve evropiane dhe drejtues të institucioneve të tjera financiare.
Në kuadër të kësaj konference po mbahen tri sesione shkencore me temat: Integrimi në SEPA, transformimi digjital dhe implikimet për shërbimet financiare, përmirësimi i stabilitetit financiar në peizazhin në ndryshim dhe ndërmjetësimi financiar brenda sektorit bankar në rajon. Po ashtu, këtë Konferencë Ndërkombëtare u shfaq edhe dokumentari me rastin e 25-vjetorit të BQK-së.