Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ai pret përleshje midis trupave të Koresë së Veriut dhe Ukrainës brenda disa ditësh, raporton Newsweek.
Në një intervistë për Sistemin e Transmetimeve Koreane, transmetuesi kombëtar i Koresë së Jugut, Zelensky tha: “Deri më tani, trupat e Koresë së Veriut nuk kanë marrë pjesë në beteja. Ata po përgatiten të marrin pjesë në betejat në Kursk”.
Liderët perëndimorë kanë shprehur shqetësimin lidhur me raportet se Koreja e Veriut ka dërguar afërsisht 10 mijë trupa për të ndihmuar fushatën ushtarake të Rusisë në Ukrainë, duke ngritur shqetësime se përfshirja e thelluar e Phenianit në luftën evropiane mund të destabilizojë Indo-Paqësorin, duke ndikuar veçanërisht në dinamikën e sigurisë që përfshin Japoninë dhe Australinë.
Zelensky konfirmoi se ai diskutoi së fundmi këtë çështje me presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, duke e paralajmëruar atë se rreth 3 mijë trupa të Koresë së Veriut janë vendosur tashmë pranë vijës së frontit ukrainas, me pritjet që numri së shpejti mund të rritet në 12 mijë.
Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së, gjeneralmajor Pat Ryder tha të martën se një numër relativisht i vogël trupash koreano-veriore kanë mbërritur në Kursk, ku forcat ruse po luftojnë kundër ofensivave ukrainase. Ai shtoi se një kontingjent shtesë prej disa mijëra është aktualisht në rrugën e tij drejt zonës. /AA