Ish-kryetari i Graçanicës: 750 serbë të Kosovës do të përdoren nga Vuçiq kundër protestave në Beograd

Ish-kryetari i Graçanicës: 750 serbë të Kosovës do të përdoren nga Vuçiq kundër protestave në Beograd

“Qeveria planifikon të sjellë qindra serbë nga Kosova në Beograd në mars, në mënyrë që t’i përdorë ata si karrem për incidente dhe për të shkatërruar protestat e studentëve,”, tha për Nedeljnik Branimir Stojanoviq, nënkryetar i Lëvizjes Kombëtare Serbe (SNP) dhe ish-kryetar i komunës së Graçanicës.

Ai shton se qeveria po planifikon që ata njerëz formalisht të ndërtojnë një “mur të gjallë” rreth Presidencës së Serbisë, si mbrojtje e presidentit Aleksandar Vuçiq, por se në fakt dyshon se ata duan të përdorin serbët për të keqpërdorur politikisht “për prodhimin e konfliktit”, shkruan Nedeljnik, raporton Nova.rs.

“Ata kanë nevojë për një arsye për shtypje.” Në atë skenar, serbët nga Kosova janë karrem për incidente në tubimin e radhës masiv dhe arsyetim për të përdorur policinë për të shkatërruar protestat e studentëve”, thotë Stojanoviq, i cili dikur ishte zyrtar i Listës Serbe në Kosovë.

Ai shton se më pas gjithçka do të tregtohej si “polici që mbron serbët nga Kosova të ardhur në Beograd”, transmeton KosovaPress.

Autoritetet duan të diskreditojnë protestat e studentëve, të cilat tregojnë dashuri dhe solidaritet. “Autoriteteve u duhen fotografi të shëmtuara, jo të bukura, siç i pamë në periudhën paraprake dhe dje në Nish”, thotë ish-kryetari i Graçanicës.


Stojanoviq thotë se sipas informacioneve të deritanishme, është planifikuar që serbët e Kosovës të qëndrojnë në Beograd së paku 25 ditë.

“Ata janë duke planifikuar 5 turne për 5 ditë, por ende nuk dihet se kur do të nisen për në Beograd. E dimë që të gjithëve u është thënë të jenë në gatishmëri dhe se grupi i parë mund të largohet më 12 mars”, thotë Stojanoviq.

Ai shton se shifrat janë ende duke u llogaritur, por se sipas asaj që e di aktualisht PKSH, “750 serbë nga Republika e Kosovës duhet të shkojnë në Beograd”, transmeton KosovaPress.

“Vetëm nga Graçanica do të sjellin 100 veta. Po përgatiten tendat dhe e gjithë logjistika e nevojshme për një qëndrim më të gjatë”, thotë Stojanoviq në një bisedë telefonike.

Ai shton se SNP-ja “me siguri e di se kushdo që vjen në Beograd paguhet nga 20 deri në 50 euro në ditë”.

Lexo edhe

Video