7 ditë zie në Maqedoninë e Veriut, inspektim në të gjitha objektet e hotelerisë

7 ditë zie në Maqedoninë e Veriut, inspektim në të gjitha objektet e hotelerisë

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme të jashtëzakonshme mori vendim për shpalljen e 7 ditë zie për të nderuar 59 viktimat e tragjedisë nga zjarri në një diskotekë në Koçani.

Gjithashtu, Qeveria mori vendim që detyron Inspektoratin Shtetëror të Tregut të kryejë kontroll të jashtëzakonshëm në objektet e hotelerisë si klube nate, diskoteka dhe diskoteka të hapura në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe të njoftojë menjëherë Qeverinë për konstatimet e inspektimit në tri ditët e ardhshme, për të përcaktuar nëse ato janë në përputhje me kushtet, përcjell KosovaPress.

“Të gjithë duhet t’i binden vendimit, pasi dënimet për mosrespektim do të jenë të rënda. Në këto ditë Ministria e Jashtme do të hapë një libër zie brenda ministrisë për aksidentin e madh të ndodhur”, thuhet në njoftim.


Qeveria mori vendim edhe për aktivizimin e mekanizmit për kërkimin e ndihmës ndërkombëtare, raporton Alsat.

Kujtojmë, mbi 20 persona janë të dyshuar, ndërsa 15 prej tyre janë arrestuar në lidhje me zjarrin, ku humbën jetën 59 persona dhe 155 të tjerë u lënduan.

Në mesin e të arrestuarve ka organizatorë të ngjarjes në klubin e natës, pjesëtarë të obliguar për sigurimin e ahengut, por edhe përfaqësues institucionesh si ish- sekretarja e Ministrisë së Ekonomisë dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme, tha se një pjesë e të dyshuarve për shkaktim të kësaj ngjarje penale kanë ndërruar jetë, dhe se diskoteka e djegur nuk ka pasur licencë pune.

Lexo edhe

Video