Rreth 50 tonë gurë kanë rrëshqitur në rrugën D52, në zonën Gornja Podgora në Kroaci.
Autoritetet thanë se rasti ka ndodhur sot në orën 07:47, dhe për shkak të rrëshqitjes është mbyllur qarkullimi në të dy drejtimet.
Kryetari i komunës së Vrgoracit Mile Herceg dhe kryetarja e Komunës së Podgorës Petra Radiq, paralajmëruan për seriozitetin e problemit që paraqet kjo pjesë rrugore për sigurinë në komunikacion dhe jetën e banorëve të Rivierës Makarska.
Radiq, në një konferencë për media theksoi rëndësinë e zgjidhjes urgjente të këtij problemi.
“Problemi i këtyre rrëshqitjeve është edhe më i madh për shkak të trafikut të rënduar në këtë rrugë, i cili tërheq një numër të madh njerëzish. Vetëm ne, duke qëndruar këtu, jeta jonë është në rrezik”, tha Radiq, duke shtuar se është urgjente të merren masa për të parandaluar aksidente të reja.
Radiq theksoi se autoritetet komunale kanë paralajmëruar vazhdimisht për këtë problem dhe se është e nevojshme të investohen më shumë mjete në infrastrukturën e transportit.
“Duhet vullnet politik për të investuar më shumë para në këtë fushë sepse nuk ka pasur asnjë investim në infrastrukturën e transportit që nga ndërtimi i autostradës së Adriatikut në vitet 1960”, theksoi Radiq.
Pas deklaratave për shtyp, Rrugët Kroate raportuan për masat që po marrin për të siguruar qarkullim të qetë në këtë zonë. Jerolim Tomasoviq, kreu i degës teknike të Splitit të Rrugëve Kroate, tha se kanë rrëshqitur rreth 50 tonë gurë.
“Aktualisht po punojmë për pastrimin e vendndodhjes dhe inspektimin e zonës rreth rrëshqitjes”, tha ai.
Kryetari i Vrgoracit, Mile Herceg, theksoi se autoritetet e qytetit kishin paralajmëruar më herët për këtë problem, duke shtuar se pret një reagim të menjëhershëm nga të gjitha organet kompetente.
Rrëshqitja e gurëve në rrugët D512 dhe D8 janë prezente prej vitesh dhe incidenti i sotëm është vetëm një nga një seri paralajmërimesh se duhen marrë masa urgjente për të parandaluar tragjeditë e mundshme, transmeton KosovaPress.