Kur lufta për çlirimin e Kosovës mori hov të madh, më 24 mars 1999, në natën e parë të bombardimeve të forcave të NATO-s mbi caqet serbe, në Mitrovicë, kriminelët serbë e vranë profesor Latif Berishën, në pragun e shtëpisë së tij.
Latif Berisha ishte aktivist në lëvizjen gjithëshqiptare të Kosovës dhe ish-kryetar i LDK-së në Mitrovicë. Ai u lind më 18 qershor 1931 në Smrekonicë të Vushtrrisë. Mësimet fillore i kreu në vendlindje, ndërsa ato të mesme në Vushtrri e Prishtinë. Fillimisht, më 1949, punoi mësues në shkollën fillore në Pantinë, raporton KosovaPress.
Këtu filloi të shkruajë poezi, disa prej të cilave i botoi në revistën letrare “Jeta e Re”. Në vitin 1951 punoi si inspektor në Sekretariatin për Arsim, Kulturë dhe Shëndetësi, dhe në ato vite kishte qenë edhe anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Arsimtarëve.
Më 1954, Latif Berisha punoi mësimdhënës i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Gjimnazin e ulët të Vushtrrisë, ndërsa më 1955 regjistrohet student i rregullt i Albanologjisë në Fakultetin Filozofik në Beograd. Gjatë kohës së studimeve, më 1957, botoi përmbledhjen e poezive “Tufa”.
Aktiviteti i tij u dallua edhe në formimin e Shoqërisë Letrarë “Përpjekja” të studentëve shqiptarë që studionin në Universitetin e Beogradit. Në qershor 1959, diplomoi në degën e Albanologjisë dhe pastaj punoi mësimdhënës në Gjimnazin e Mitrovicës “Silvija Tomazini”.
Më 1963, Latif Berisha vazhdoi studimet pasuniversitare, Drejtimi i Letërsisë, në Fakultetin Filologjik të Beogradit dhe punoi temën e magjistraturës “Skënderbeu në letërsinë e shkruar shqipe”.
Më 1965, u zgjodh asistent në Degën e Albanologjisë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ndërsa më 1968 u zgjodh ligjërues i Historisë së Letërsisë Shqipe (Romantizmi).
Që nga viti 1984, punoi në projektin “Skënderbeu në letërsinë shqipe”, të cilin nuk e mbaroi. Në vitin 1991, si dhe shumë mësimdhënës të tjerë, regjimi serb e largoi nga puna.
Gjatë viteve ’90, Latif Berisha u angazhua në lëvizjen e intelektualëve dhe të popullit shqiptar për mbrojtjen e çështjes kombëtare. Ka qenë anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i Degës së LDK-së në Mitrovicë. U angazhua posaçërisht si udhëheqës në sektorin e kulturës, si dhe ishte anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Latif Berisha ka botuar vëllimin me poezi “Tufa” (1957), studimet dhe vështrimet: “Ali Asllani dhe krijimtaria e tij poetike” (1963), “Skënderbeu në poemën ‘Kënga e sprasme e Balës'” (1968), “Skënderbeu në disa krijime të letërsisë shqipe në Jugosllavi” (1968), vepra “Lulet e Verës” dhe disa nga dimensionet e saj kuptimore (1972), poema “Bagëti e Bujqësi” (vlera ideoartistike) (1972), “Hil Mosi dhe krijimtaria e tij poetike” (1972), “Andria Kaçiq Mioshiq dhe shqiptarët” (1974), “Një tufëz vjershash autografe të Zef Serembes” (1974), etj.
Në vitin 2004, ish-presidenti Ibrahim Rugova e dekoroi Latif Berishën me Medaljen e Artë të Pavarësisë, për kontributin e dhënë për liri dhe pavarësi.
/KosovaPress/