​Zhvillimet “tektonike” në Serbi, a po i lëkundet pushteti Vuçiq?

Dorëheqja e kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, pas protestave masive atje po konsiderohet si hapi i parë i rënies së regjimit të presidentit, Aleksandër Vuçiq. Protestat antiqeveritare që po zgjasin tash e dy muaj, po kualifikohen si zhvillime “tektonike” që mund të përmbysin presidentin Vuçiq. Megjithatë, analistët politikë në Kosovë vlerësojnë se Vuçiq përmes dorëheqjes së kryeministrit Vuçeviq dëshiron ta largojë përgjegjësinë nga vetja dhe të zgjasë pushtetin e tij.

Për më shumë se dy muaj në Serbi, mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë po kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në qytetin e Novi Sadit, ku më 1 nëntor të vitit të kaluar, 15 persona humbën jetën nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor.

Politologu dhe njohësi i zhvillimeve rajonale, Milazim Koci, thotë për KosovaPress, se protestat në Serbi nuk mund të mposhten lehtë nga Vuçiq, pavarësisht dorëheqjes së kryeministrit Vuçeviq.


Sipas tij, tani është rasti i parë pas dhjetë viteve që po luhatet seriozisht pushteti i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Në anën tjetër, analisti, Albinot Maloku, thotë për KosovaPress, se regjimi i Vuçiq ka nisur të bie, mirëpo fuqia politike e tij është ende e madhe në Serbi.

Ai shton se dorëheqja e Vuçeviq është një tentim i Vuçiqit për të hequr përgjegjësinë nga vetja për tragjedinë në Novi Sad si dhe zgjatjen e pushtetit të tij.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq dha dorëheqje të martën pas protestave masive të studentëve dhe qytetarëve për tragjedinë në qytetin e Novi Sadit, ku, më 1 nëntor të vitit të kaluar, 15 persona humbën jetën nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor./E.Zeqiri/

Lexo edhe

Video