Manchester United ka njoftuar planet për të ndërtuar stadiumin më të madh në Mbretërinë e Bashkuar – një terren i ri “ikonik” prej 2 miliardë funte me 100,000 ulëse afër “Old Trafford”. Pasi të përfundojë ndërtimi i stadiumit të ri, shtëpia ekzistuese e klubit do të prishet.
Bashkëpronari Sir Jim Ratcliffe tha se ai dëshironte të ndërtonte “stadiumin më të madh të futbollit në botë”, të cilin klubi shpreson se mund të përfundojë për pesë vjet, transmeton KosovaPress.
Njoftimi i United vjen pas një procesi të gjerë konsultimi rreth zhvillimit të stadiumit ekzistues apo ndërtimit të një të ri. “Old Trafford” ka qenë shtëpia e Manchester United që nga viti 1910.
Klubi do të vazhdojë të luajë në “Old Trafford” derisa stadiumi i ri të jetë gati.
Arkitektët në Foster and Partners, të cilët do të hartojnë projektin, thanë se stadiumi i ri do të ketë një dizajn ombrelle dhe një shesh të ri publik që është “dy herë më i madh se Sheshi Trafalgar”.
Mançester United, që aktualisht ka 1 miliard funte borxh, nuk ka thënë ende se si planifikon të paguajë për stadiumin. Shefi ekzekutiv i klubit Omar Berrada tha se ishte “një mundësi shumë tërheqëse investimi” dhe ai ishte “mjaft i sigurt se do të gjejmë një mënyrë për të financuar stadiumin”.
Eksperti i financave të futbollit Kieran Maguire tha se zhvillimi mund të financohet sepse të ardhurat nga një “stadium shumëfunksional do të tejkalojnë kostot shtesë të interesit”.