​Superduelet e fundjavës në basketboll

​Superduelet e fundjavës në basketboll

ProCredit Superliga vazhdon me ndeshje interesante në fundjavë, ku zhvillohet java e 23-të. Kampionati po shkon drejt fundit të garave të rregullta, ku secila ndeshje është më e rëndësishme se tjetra dhe lufta për çdo pozitë në tabelë është e madhe.

Proton Cable Prizreni do të ndeshet Pejën, ku të dy skuadrat luajnë vetëm për fitore. Prizrenasit janë në vendin e tetë në renditje me pesë fitore e 17 humbje, kurse pejanët në vendin e katërt me 11 fitore e 11 humbje, transmeton KosovaPress.

Derbi prishtinas zhvillohet të shtunën mbrëma mes Borës dhe Sigal Prishtinës, dy skuadra që kanë pasur formë të lartë në vitin 2025 në elitën e basketbollit. Bora ka tri fitore në katër ndeshjet e fundit, ndërsa bardhekaltrit tetë fitore në tetë sfidat e fundit. Ky është edicioni i parë i Borës në elitë, ku kërkon “Play-off”-in, derisa renditet e shtata me tetë fitore e 14 humbje, kurse Sigal Prishtina e treta me 14 fitore e tetë humbje.

Të dielën përballen finalistët e edicionit të kaluar Golden Eagle Ylli dhe Trepça. Therandasit renditen në pozitën e gjashtë me nëntë fitore e 13 humbje, derisa mitrovicasit kanë 15 fitore e shtatë humbje, aq sa ka edhe Bashkimi, që përballet me Vëllaznimin në Gjakovë. Kuqezinjtë numërojnë 11 fitore e 11 humbje, andaj pritet një sfidë mjaft interesante.

ProCredit Superliga-Java 23

E shtunë


20:00 Proton Cable Prizreni – Peja

20:00 Bora – Sigal Prishtina

E diel

20:00 Golden Eagle Ylli – Trepça

20:00 Vëllaznimi – Bashkimi

KosovaPress

Lexo edhe

Video