​Sulmi në Ibër-Lepenc, Hovenier: Mbështesim autoritetet kosovare, ende herët për të identifikuar fajtorët

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier e ka quajtur të tmerrshëm sulmin në Ibër – Lepenc dhe ka thënë se mbështesin autoritetet e Kosovës për të gjetur përgjegjësit porse ka shtuar se “është herët për të thënë kush qëndron pas sulmit.”

Ai ka përsëritur se dënojnë ashpër sulmin që ndodhi në kanalin e Ibër-Lepencit të premten mbrëma.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara, dua të them atë që kemi thënë tashmë, se ne e dënojmë me aq forcë sa të jetë e mundur këtë sulm të tmerrshëm ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, duke rrezikuar furnizimin me energji elektrike të vendit, duke rrezikuar ngrohjen, duke rrezikuar ujin e pijshëm. Shtetet e Bashkuara mbështesin një hetim gjithëpërfshirës. Ne i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë autoriteteve të Kosovës në këtë hetim. Mendojmë se është e rëndësishme që personat përgjegjës të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”, ka thënë Hovenier në deklarimin për media pas takimit me kryeministrin Albin Kurti.

Hovenier tha se këto veprime të dhunshme janë të pafalshme, derisa ka përgëzuar autoritetet e Kosovës për reagimin emergjent.

Ambasadori Hovenier shtoi se Shtetet e Bashkuara ende nuk janë në gjendje të thonë se kush qëndron pas sulmit.


Edhe në emër të BE-së, ambasadori Aivo Orav ka mbështetur deklarimet e përfaqësuesit të lartë të BE-së Josep Borrell lidhur me këtë situatë.

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur të premten në mbrëmje në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me ç’rast ishte dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit. Lidhur me sulmin terrorist janë arrestuar tetë persona të dyshuar për përfshirje. 

https://kosovapress.com/shperthim-i-fuqishem-ne-zubin-potok

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte thënë se sulmi ishte terrorist dhe i organizuar nga bandat kriminale e me mbështetje të Beogradit zyrtar.

Sulmin e 29 nëntorit e kanë dënuar Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të QUINT-it.

https://kosovapress.com/sulmi-terroriste-ne-veri-gjithcka-qe-ndodhi-dhe-reagimet

Lexo edhe

Video