​Plani i Rritjes, Shqipëria merr 64,5 milionë euro parafinancim

​Plani i Rritjes, Shqipëria merr 64,5 milionë euro parafinancim

Shqipëria mori parafinancimin e parashikuar në kuadër të Mekanizmit për Reforma dhe Rritje të BE-së. Ai është pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili synon të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike të rajonit me BE-në dhe të hapë rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Në një njoftim për mediet, zyra e Bashkimit Europian në Tiranë bën të ditur se, parafinancimi, me vlerë 64,5 milionë euro, do të mbështesë zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Mekanizmit për Reforma dhe Rritje, si dhe angazhimet që ka marrë Shqipëria me të, raporton ​ATSh.

Me këtë parafinancim, Shqipëria mori 30 milionë euro kredi koncesionare për buxhetin e shtetit si mbështetje për zbatimin e reformave në kuadër të Agjendës së Reformave të vendit. Parafinancimi i mbetur prej 34,5 milionë eurosh në grante dhe hua koncesionare do t’i injektohet drejtpërdrejt WBIF-it (Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor) për investime në infrastrukturë në Shqipëri.

“Bashkimi Evropian qëndron në krah të Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Plani i Rritjes e ndihmon Shqipërinë për të arritur këtë qëllim dhe për ta afruar ekonominë shqiptare me atë të Bashkimit Evropian përpara se Shqipëria të bëhet anëtare. Ne po e mbështesim Shqipërinë që të konsolidojë shtetin e saj të së drejtës, të zhvillojë infrastrukturën, ekonominë e saj të gjelbër, kapitalin njerëzor dhe biznesin e saj privat. Evropa është këtu për të mbështetur rritjen e qëndrueshme dhe kohezionin social ndërsa Shqipëria përgatitet për të hyrë në tregun unik të BE-së”, tha ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.

“Ne e vlerësojmë këtë si një shenjë të qartë besimi nga BE-ja në rrugën e reformave të Shqipërisë dhe progresin e qëndrueshëm drejt anëtarësimit në familjen evropiane. Ne e kuptojmë plotësisht madhësinë e kësaj mundësie historike, si dhe angazhimet e ardhshme, dhe jemi energjikisht të motivuar dhe të përgatitur për të vazhduar reformimin dhe përmbushjen e zellshme të kritereve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, tha kryenegociatorja Majlinda Dhuka.


Deri në vitin 2027, Shqipëria ka mundësi të marrë deri në 922,1 milionë euro gjithsej nga Mekanizmi i Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor në këmbim të reformave në shtetin e së drejtës dhe të drejtat themelore, energjinë e rinovueshme, ekonominë digjitale, kapitalin njerëzor dhe zhvillimin e sektorit privat.

Pagesat e ardhshme në kuadër të Mekanizmit do të bëhen me përfundimin e hapave të reformës të rënë dakord ndërmjet Komisionit dhe Qeverisë shqiptare në Agjendën e Reformave. Ndërsa Shqipëria përparon me zbatimin e Agjendës së Reformave, BE-ja do të zhbllokojë pagesat, transmeton ​KosovaPress.

Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor ofron një udhërrëfyes për t’i afruar ekonomitë e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Ai gjithashtu lehtëson qasjen graduale në tregun unik, duke u mundësuar qytetarëve në Ballkanin Perëndimor të korrin disa përfitime të hershme nga integrimi në BE, si dhe mbështet integrimin e mëtejshëm ekonomik rajonal.

Plani i Rritjes ofron 6 miliardë euro ndihmë financiare shtesë për të mbështetur reformat socio-ekonomike dhe themelore, si dhe investimet përkatëse. Pagesat kushtëzohen me arritjen e reformave të specifikuara në Agjendat e Reformave të përgatitura nga secili përfitues.

Komisioni Evropian aktualisht po punon për vlerësimin e grupit të parë të hapave të reformës. Përmbushja e këtyre hapave do t’i japë Shqipërisë të drejtën për të marrë disbursimin korrespondues në kuadër të Mekanizmit.

Lexo edhe

Video