Në Kosovë ekzistojnë shtatë regjione, përkatësisht lidhje rajonale të futbollit të cilat kanë si detyrë kryesore organizimin e garave amatore, si Liga e Dytë, Liga e Tretë dhe shkollat e futbollit nga të cilat pastaj dalin në pah futbollistë që bëhen pjesë edhe e Kombëtares A të Kosovës.
Mirsad Çollaku, kryatar i Lidhjes Rajonale të Prizrenit, tregon se si funksionojnë këto dikastere futbollistike dhe cili është roli i tyre në teren.
Duke folur për KosovaPress, Çollaku thotë se puna intensive me talentë të rinjë nis që nga mosha 9-vjeçare.
“Talentët fillojnë qysh nga mosha e vogël. Ne nëpër regjione organizojmë ndeshje nga grupmoshat U9 deri në U17 ku aty është edhe gjithë elani dhe gjithë ajo puna që bëhet për zhvillimin dhe nxjerrjen e futbollistëve të rinj… Ne si regjion vazhdimisht bëjmë edhe grumbullimin e lojtarëve, secili regjion ka edhe selektorët e vet të cilët raportojnë punën dhe organizimin e klubeve në Federatën e Futbollit. Ata selektorë vazhdimisht bëjnë grumbullimin dhe nxjerrin nga klubet e futbollit më të mirët dhe i prezentojnë në Federatën e Futbollit të Kosovës, ua prezantojnë selektorëve të grupmoshave përkatëse”, bën të ditur tutje Çollaku.
Por, këto grupmosha, sipas Çollakut, po hasin në dy problematika mjaftë të mëdha që po pengojnë zhvillimin e tyre.
“Sigurisht që janë financat, më pastaj është infrastruktura, megjithëse Federata e Futbollit çdo vit është duke ndërtuar fusha të reja që ta lehtësojë sa më shumë mbarëvajtjen e klubeve për stërvitje pasi çdo qytet ka probleme të kësaj natyre. Ministria e Sportit tani ka marrë disa zotime se do të bëjë fusha nëpër të gjitha qendrat kryesore por që fatkeqësisht nuk po shihet ndonjë gjë në teren, është me shumë ritëm të ngadaltë, por shpresojmë që ato fusha një ditë do të kryhen, por sa më shpejt është aq më mirë sepse pa zhvillim të infrastrukturës nuk do të ketë as zhvillim të talentëve”, thekson Çollaku
Por, përkundër këtyre pengesave, ka optimizëm të madh se në një të ardhme të afërt, Kombëtarja e Kosovës do të jetë e mbushur me futbollistë shumë cilësorë.
E për të pasur më shumë sukses, Çollaku ka një thirrje për prindërit e fëmijëve.