Lucy Sophia Thomson, një ish-Miss Skocia 2022, është dënuar për sulm dhe ofendim racist ndaj rojeve të sigurisë në një turne ragbi.
Incidenti ndodhi në qershor 2023, pothuajse një vit pasi Thomson fitoi titullin Miss Skocia.
Në turne, ajo kafshoi rojën e sigurisë Andrew Okpaje dhe bëri fyerje raciste ndaj tij, duke u mburrur për pasurinë e saj dhe duke bërtitur: “A e dini kush jam unë?”
Ajo gjithashtu kafshoi një roje tjetër sigurie ndërsa po përpiqeshin ta largonin nga fusha e ragbi.
Okpaje tha në gjykatë se ai u thirr në fushë për shkak të një gruaje të dehur dhe se Thomson u bë agresive teksa u përpoqën ta shoqëronin atë dhe motrën e saj nga turneu, transmeton KosovaPress.
“Ndërsa iu afruam daljes, ajo më sulmoi. E mbajtëm dhe u përpoqëm ta trajtonim sa më butësisht, ngrita dorën dhe ajo më kafshoi. E pashë i tronditur, pas së cilës ajo filloi të më ofendonte. Nuk kam dëgjuar që dikush të më thërriste kështu”, tha ai.
Thomson mohoi akuzat, duke pretenduar se ajo e pa motrën e saj të rrethuar nga rojet e sigurisë dhe se ishte në vetëmbrojtje. Ajo gjithashtu insistoi se ishte e ftuar në turne si ambasadore.
Pas një gjyqi dy-ditor, Thomson u shpall fajtore për sulm ndaj dy rojeve të sigurisë, si dhe për abuzimin racor. Për këtë asaj iu desh të paguajë gjobë 790 funte (rreth 950 euro), si dhe iu hoq titulli, gjë që u konfirmua nga organizatorët e garës.
