​“E turpshme, nuk duhej të ndodhte”, reagime të ashpra në Kosovë për bashkëpunimin e FSHF-s me Serbinë për Euro U-21

Tashmë është zyrtarizuar gjithçka, Kampionati Evropian i futbollit për grupmoshat U-21 që do të zhvillohet ën vitin 2027 do të zhvillohet në Shqipëri dhe Serbi. Këto dy vende aplikuan si kandidaturë e përbashkët dhe e kanë fituar të drejtën nga UEFA për organizimin e këtij eventi.

Por vendimi i Federatës Shqiptare të Futbollit për të bashkëpunuar me shtetin serb nuk është mirëpritur nga opninoni futbolldashës në Kosovës edhe është kritikuar ashpër duke e konsideruar atë si te hershëm dhe krejtësisht të panevojshëm.

Analisti i futbollit Ramiz Shala thotë për KosovaPress se ky bashkëpunim ishte krejtësisht i panevojshëm, sidomos kur dihet se Federata e Serbisë është më e sanksionuara nga UEFA dhe se aktet e tyre huliganiste mund të përsëriten edhe në këtë kampionat.

“Paramendoni ka djem të Kosovës që luajnë te U-21-shat e Shqipërisë dhe ata vijnë nga familjet që kanë pësuar nga lufta e fundit dhe merreni me mend sa e rëndë është për ta t’i dëgjojnë huliganët serb duke thirrur termin që nuk po dua ta përmend por që gjithë opinioni sportdashës e di që federata e Serbisë është federata që më së shumti është sanksionuar për huliganizëm në kuadër të kontinentit Evropian, në kuadër të Federatës Evropiane të Futbollit…Federatës Shqiptare nuk e di se çfarë i është dashur që të futet në një organizim të tillë duke pasur organizime të bollshme brenda UEFA-s në të cilat ka mundur të aplikojë dhe për të cilat ka mundur të bëjë projekt të përbashkët me Kosovën, me Malin e Zi, me Kroacinë, por ku e gjeti pikërisht Serbinë?”, thekson Shala.

Nga ana tjetër, Kushtrim Krasniqi, nga Komiteti Olimpik i Kosovës konsideron se ky bashkëpunim është shumë i hershëm ndërmjet këtyre dy shteteve. Sipas tij, me Serbinë nuk bashkëpunojnë edhe me tutje shtete si Kroacia e Sllovenia.


“Është diçka shumë e hershme për të realizuar një bashkëpunim të tillë mes dy vendeve si Shqipëria dhe Serbia kur dihet mirë se as vende si Kroacia, Sllovenia po edhe Maqedonia e Veriut nuk bashkëpunojnë me Serbinë në organizime të tilla e lëre më Shqipëria. Mirëpo kjo është keq për Kosovën sepse humb sporti i Kosovës edhe imazhi i Kosovës por edhe vet shtet-bërja e Republikës së Kosovës…Ky është një sinjal që më në fund duhet ta kuptojnë të gjithë tifozët shqiptar të Kosovës se kombëtarja e tyre primare duhet të jetë Kosova e jo Shqipëria sepse ata jetojnë në Kosovë, paguhen nga taksat e Kosovës dhe ata duhet ta përkrahin kombëtaren e vet siç ndodh në të gjithë botën”, thotë Krasniqi.

E për ata që morën këtë vendim në Federatën Shqiptare të futbollit, trajneri Arsim Plepolli thotë se duhet “t’i mbulojë turpi”

“Për ne si kosovarë së pari kjo nuk kemi nuk kemi guxuar as të mendojmë që mund të ndodh kjo e lëre më që të realizohet. Është e pakuptimtë dhe për mendimin tim edhe e turpshme sepse edhe po të ishte fundi i botës nuk do ta organizoja atë, edhe ta dinim që kurrë nuk do të luanim më futboll. Por kjo nuk është në dorën tonë, është në dorën e dikujt tjetër, ai që ka vendosur për ta marrë këtë vendim turpi e mbuloftë sepse me të vërtetë nga ka prekur të gjithëve dhe është e papranueshme nga ana jonë.”, thotë Plepolli.

Në pyetjen e KosoavPress se cilat ishin arsyet që çuan FSHF-n drejt këtij vendimi, kjo federatë nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Kosova tashmë ka mësuar rivalët e grupit për kualifikim në këtë kampionat. Dardanët do të ballafaqohen në grupin a me shtete si Spanja, Rumania, Finlanda, Qipro dhe San Marino.

Lexo edhe

Video