Juventusi nuk po mendon të shkarkojë trajnerin e tyre, Thiago Motta, dhe përfaqësuesit e klubit kanë mohuar një raport nga “L’Equipe” që pretendonte se bardhezinjtë kishin hapur bisedime joformale me ish-trajnerin e Barcelonës, Xavi.
Juventusi ka humbur kohët e fundit ndeshjen e parë në ligë në sezonin 2024-2025 dhe aktualisht është jashtë top katërshes në Serie A me 37 pikë në 22 ndeshje, përcjellë KosovaPress.
Megjithatë, pavarësisht rezultateve të dobëta dhe paraqitjeve jo bindëse, sipas “Tuttosport”, Juventusi nuk po mendon të shkarkojë trajnerin e tyre.
Motta nënshkroi një marrëveshje trevjeçare në “Allianz Stadium” verën e kaluar dhe qëndrimi i klubit do të mbetet i njëjtë edhe nëse “Bianconerët” nuk arrijnë të kualifikohen në Ligën e Kampionëve këtë sezon.
Juventusi do të presë Benfikën në “Allianz Stadium” në kuadër të Champions League nesër në ndeshjen finale të fazës së ligës.
“Bianconerët” kanë siguruar tashmë një vend në 24 më të mirët, por një fitore kundër portugezëve do t’i mbante gjallë shpresat e tyre në top-8.