Në 17-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në një mbledhje festive të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti tha se “teksa festojmë kujtojmë me krenari rrugëtimin tonë të gjatë”.
Ai tha se nderojnë të gjithë ata qe sakrifikuan për liri.
“Ne sot nderojmë të gjithë ata të cilët sakrifikuan edhe u flijuan për lirinë tonë”.
“Liria për të cilën kemi sakrifikuar kërkon demokraci që mundëson të dëgjohet zëri i popullit . Demokracia kërkon institucione të sigurta. Republika jonë sot është më e fortë dhe vitale si kurrë me parë sepse forcuam institucionet demokratike dhe kemi ndërtuar institucionet tona që janë në shërbim të qytetarëve. Kemi ndërtuar shtet solidar për qytetarët”, tha Kurti.
Për shënimin e ditëlindjes së 17 të shtetit të Kosovës ekzekutivi ka organizuar një sërë aktivitetesh përfshirë homazhe e ngjarje kulturore.
17 vite më parë, saktësisht në ora 15:39 në një seancë të Kuvendit të Kosovës u bë shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Në seancën historike morën pjesë 109 deputetë, nga 120 sosh, të cilët e nënshkruan edhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Në këtë seancë nuk ishin të pranishëm deputetët serbë.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës u bë nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.
Deri tani shtetësinë e Kosovës e kanë njohur 117 shtete të botës, derisa Qiproja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Spanja vazhdojnë të mos e njohin.
17-vjetori i pavarësisë Kosovën e gjen nën sanksione të Bashkimit Evropian.