Në çdo punim të saj me plot ngjyra, fshihet një mesazh i heshtur. “Mos na shikoni nga pamja, ne jemi shumë të aftë”, thotë Ardita Bilalli, e cila mërzinë dhe dëshpërimin e ka shndërruar në krijimtari.
Çdo detaj që e punon me duart e saj, është thuajse një tregim i brendësisë. Jo vetëm burim i vogël i të ardhurave për familjen, por për të krijimet artizanale janë formë e veçantë terapie e shprese.
Që nga lindja ajo është diagnostikuar me “spina bifida”, një problem i lindur i shtyllës kurrizore, e cila ia ka pamundësuar plotësisht ecjen.
“Në shkollë kam pasur vështirësi, sepse gjatë kohës sa po vijoja mësimin në shkollën fillore mua më është dashur që të më marrin ‘hopa’ shoqëria, për të cilët jam shumë falënderuese ndaj tyre që të vijoj mësimet në katin e dytë. Që nga fëmijëria jam tip shumë i dashur me njerëzit, kam dëshirë që t’i përqafoj, të rri me ta, të komunikoj. Kam pasur vështirësi të qasem në shumë objekte për shkak se nuk ka pasur mundësi për ne, personat me aftësi të kufizuara. Në shumë objekte nuk ka qasje për neve me aftësi të kufizuara, kështu që na pamundëson që të shkojmë në ndonjë vend dhe na duhet që gjithmonë ta kemi një asistente me vete, por unë e kam gjithmonë nënën pranë vetës që të më ndihmojë”.Edhe pse la shumë ëndrra, ajo u mësua të jetojë në një realitet të vështirë por me imagjinatë të pashtershme.
“Fatkeqësisht nuk kam pasur mundësi të vazhdoj shkollimin, në mungesë të qasjes në objekte. Kam dashur që të bëhem mësuese. Kjo mbeti ëndërr dhe më mbeti peng. Po ashtu, më është dashur një përcjellës afër pranë vetes dhe më kanë thënë ‘nëse dëshiron të vazhdosh shkollimin duhet ta kesh një përcjellëse, duhet ta paguash vet’. E ku ta paguaj unë një përcjellëse me 150 euro ose 180 euro. Duhet ta kuptoj edhe shteti dhe institucionet tona që duhet të na mundësojnë dikë që edhe ne të vazhdojmë jetën si të tjerët që ecin dhe lëvizin. Sepse edhe ne kemi ëndrra, edhe ne kemi qëllimet tona. Duhet ta dinë njerëzit që edhe ne e duam jetën, jo vetëm ata që vrapojnë, që ecin, e që lëvizin. Edhe ne mund t’ia dalim nëse pak e kemi mbështetjen e dikujt”.
Nga errësira e brendshme, Ardita gjeti dritën e saj në punime dore. Edhe atëherë u lëndua shumë nga rrethi, sepse thotë se nuk mori aspak mbështetje.
Ëndrrën që të bëhet mësuese nuk pati mundësi që ta ndjek, por sot lutet që një ditë të hap një punëtori për fëmijët me aftësi të kufizuara. Me të ardhurat që siguron nga punimet prej dore, 26-vjeçarja arrin të mbulojë shpenzimet për barna dhe të ndihmojë familjen.
“Që në fëmijëri por edhe sot e kam ëndërr që të kem një punëtori timen dhe që të punësoj njerëz me nevoja të veçanta, që t’iu tregojmë edhe ne të tjerëve që edhe na ia dalim, edhe ne e duam jetën, edhe ne e duam punën. Unë punoj varëse për cuclla për fëmijë, varëse për çelësa dhe kurora, byzylykë, kordele për vajza të vogla. E bëjë këtë punë që edhe t’i ndihmoj familjes. Mundohem që me ato të holla të blej barnat për vete dhe për prindin”.
“Shteti më ndihmon me 150 euro, çfarë të bëjë me 150 euro? Çfarë mundet një person me aftësi të kufizuara të përthekojë me 150 euro? Janë barnat, janë gjërat tjera, është mjekimi, është ushqimi. Shteti duhet të ketë parasysh që të na mundësojë edhe neve që të punësohemi diku, që të na mundësojnë të qasemi në objekte. Edhe ne mund të punojmë, e jo për shembull me thënë po ua japim 150 euro dhe jeto me këtë shumë. 150 euro për neve personat me aftësi të kufizuara nuk janë të mjaftueshme”.
Vajza e cila pas vetës la shumë ëndrra në gjysmë, kërkon nga njerëzit që të mos gjykojnë aftësitë e saj nga pamja.
Ardita Bilalli
Korrik 2025