Zyrtarët e KKZ-ve refuzojnë të shkojnë në punë, shkak siguria e tyre

Zyrtarët e Komisioneve Komunale Zgjedhore (KKZ), që përfaqësojnë partitë politike, refuzojnë të shkojnë në vendet e tyre të punës në katër komunat në veri të vendit për shkak të sigurisë së tyre.

Kryeshefi i Sekretariatit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj ka thënë se nga KKZ në Leposaviq kanë deklaruar se nuk shkojnë për të punuar atje as me përcjelljen e policisë. Ndërsa anëtarët e KQZ kanë diskutuar për mundësinë e zëvendësimit të tyre në rast se të njëjtit nuk pranojnë të punojnë.

Ditë më parë zyrtarët janë përballur me sulme derisa po përpiqeshin të shkonin në qendrat e zgjedhjeve në komunat e veri të vendit. Kjo është arsyeja pse të njëjtit po refuzojnë të punojnë në këto rrethana duke theksuar se është në pyetje siguria fizike e tyre.

“Nga këto takime kemi po ashtu deklarimet e komisioneve komunale të zgjedhjeve, respektivisht të anëtarëve të komisionarëve komunalë të zgjedhura nga komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, të cilët theksuan se e kanë të pamundur të veprojnë në një objekt që menaxhohet nga strukturat jo të komunës, është fjala për objektet në komunat respektive nga ku duhet të punohet. Po ashtu, sipas deklarimeve të anëtarëve të KKZ-së ata nuk do të shkojnë në asnjë mënyrë në zyrë në këto rrethana pasi që është në pyetje siguria fizike në njërën anë dhe në anën tjetër është i pamundur funksionimi i KKZ-së duke pasur parasysh rrethanat e lartcekura. Ndërsa Komisioni Komunal i Zveçanit KKZ e komunës së Zveçanit ka deklaruar se edhe në përcjelljen e policisë në këto rrethana refuzojnë të shkojnë për të punuar atje”, ka thënë Ahmetaj.

Sipas Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Zveçan objekti i komunës është i mbyllur tërësisht, përfshirë edhe zyrën e KQZ-së ndërsa zyra në veri të Mitrovicës është tashmë e demoluar.

Por anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi e sheh të çuditshëm vendimin e zyrtarëve të KKZ-së për të mos shkuar në qendra.

“Unë po e kuptoj situatën, por refuzimi i punës nga zyrtarët KKZ po më duket pak i çuditshëm, kushdo qofshin, pra ata që janë me kontratë të rregullt është pak problem të them se unë refuzoj të shkoj diku. E di që frika është njerëzore dhe nuk a diçka tjetër aty… Kisha propozuar që Sekretariati dhe KQZ të merr vendim që të gjithë këta zyrtarë komunalë të angazhohen edhe për këto zgjedhje meqenëse po e pranojmë që kemi një situatë jo e zakonshme dhe Sekretariatit të bëjë një plan të punës ku ata mund të ndihmojnë, dhe të angazhohen”, ka thënë Kurteshi.

Sipas Sami Hamitit, askush nuk mund të akuzohet në këto rrethana meqë nuk ka siguri për zyrtarët atje.


“Nuk mund ta akuzosh askënd, në këtë rast hiç se hiç, është tentuar të shkohet në dy zyre, është tentuar të krijohet një siguri në ato zyre në anën tjetër, ne po themi a do të shkoni, dhe po themi ata po refuzojnë, ka qenë për të shkuar. A e di Burim ku do të shkojnë ata, ku kanë për të shkuar, a iu kanë siguruar atyre zyrat”, ka pyetur ai.

Ndërsa anëtari Ilir Gashi ka rekomanduar që nëse KKZ-të hezitojnë të kryejnë punën e tyre, anëtarët duhet të zëvendësohen.

“Zyrtarët tanë të këtij institucioni nuk kanë refuzuar për t’i kryer detyrat e veta, ata që po refuzojnë janë këshillat, KKZ që përbëhen prej subjekteve politike, dy gjëra të ndara, nuk janë njerëz të këtij institucioni që janë duke refuzuar, por njerëz të partive politike… Është rekomandim kontakti i shpejtë me subjektet politike nëse KKZ-të hezitojnë, sipas arsyeve të tyre, për të marrë pjesë në përgjegjësitë që janë ngarkuar atëherë duhet zëvendësuar, kjo duhet të bëhet shpejt, një kontakt me subjektet dhe mos të humbet kohë, sepse nëse ata refuzojnë nuk ka alternative tjetër”, ka thënë Gashi.

Lidhur me këtë, Burim Ahmetaj ka thënë se KKZ-të nuk mund të funksionojnë pa përfaqësues të cilët sipas ligjit janë përfaqësues të subjekteve politike.

“KKZ nuk mund të funksionojë pa përfaqësues, të cilët sipas ligjit janë përfaqësues të subjekteve politike. Ligji e përcakton kush mund të jetë KKZ anëtar i komisioneve komunale zgjedhore, dhe si kryesues funksionon zyrtari i lartë komunal i zgjedhjeve, që është zyrtar nga KQZ-ja. Në këtë rast nëse refuzojnë, nuk do të kemi funksionale komisionin komunal të zgjedhjeve, mirëpo ligji e ka përcaktuar qartë se kush mund të jetë përfaqësues në KKZ në nivelin lokal”, ka thënë Ahmetaj.

Në këtë mbledhje, KQZ ka vendosur për certifikimin e listës përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të vendit, me 44 mijë e 939 emra të votuesve apo 1.189 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet lokale te vitit 2021.

Për zgjedhjet në këto komuna është miratuar lista e qendrave të votimit me 44 qendra dhe 74 vendvotime.

Gjithashtu në këtë mbledhje u bë e ditur se nga gara për asamble komunale janë tërhequr dy kandidat serb në Leposaviq.

Lexo edhe

Video