FC Prishtina përmes një komunikate në faqen zyrtare e ka konfirmuar transferimin më të ri të klubit, i cili do ta përforcojë mesfushën e Ismet Munishit.
Bëhet fjalë për Muhamed Dubovan, i cili i bashkohet Prishtinës nga skuadra sllovake, Dubnica, raporton KosovaPress.
Ndërkaq, para se të luante në Sllovaki, Dubova ka qenë pjesë e futbollit vendor, ku ka mbrojtur ngjyrat e skuadrës së SC Gjilanit.
Dubova e ka kompletuar fazën përgatitore me Prishtinën dhe është plotësisht i gatshëm për ta dhënë më të mirën për fanellën “bardhekaltër”.
“Jam shumë i lumtur dhe shumë i motivuar që iu bashkova klubit më të madh në Kosovë. Do ta jap më të mirën time në stërvitje në mënyrë që të fitojë më pas minuta edhe në ndeshje. Premtoj përkushtim maksimal te FC Prishtina”, tha Dubova.
“Për mua është nder dhe krenari që të jem pjesë e Prishtinës. Ky është klubi më i trofeshëm në Kosovë dhe me histori të madhe dhe për çdo futbollist, bartja e kësaj fanelle është ndjenjë e pa përshkruar”, shtoi Dubova.