Klubi i Ferizaj përmes një komunikate në faqen zyrtare ka njoftuar se ka ndarë rrugët me trajnerin Andrej Panadiç dhe ndihmësin e tij, Nikola Boroe.
Panadiç drejtoi Ferizajn për shtatë muaj, ndërsa suksesi më i spikatur ishte mbledhja e 28 pikëve në sezonin pranveror, raporton KosovaPress.
“Andrej ishte fjalë pak e punë shumë. Një mentalitet i futbollit kroat, bazuar në kërkesën kryesore të tij, përgjegjësi nga secili lojtarë në fushën e lojës.
E mori ekipin në një gjendje të vështirë, kur pak kush mund të besonte se do ta kapnim barazhin. Pavarësisht që misioni nuk përfundoi me sukses, Andrej Panadiç do mbetet pjesë e rëndësishme e historikut të klubit tonë.
FC Ferizaj e falenderon trajnerin Panadiç, për angazhimin dhe grintën e treguar, duke i dëshiruar shumë shëndet e suksese në rrugëtimin profesional”, shkruhej në komunikatën e Ferizajt.
Ndërkaq, Ferizaj po ashtu tha se marrëdhëniet me trajnerin kroat janë të shkëlqyera, dhe se e ardhmja mund t’i bashkoj të dy palët sërish.
“Padyshim se marrëdhëniet mes klubit dhe tani ish-trajnerit Panadiç janë të shkëlqyera dhe ku i dihet së ardhmës, ndoshta rrugët do të na bashkohen në ditë më të mira”, shkoi Ferizaj në “Facebook”.
Ferizaj tashmë garat e sezonit të ardhshëm do t’i zhvillojë në Ligën e Parë, pasi në ndeshjen e barazhit u mposht nga skuadra e Lirisë, e cila sezonin 2023/24 e nis në Superligën e Kosovës.