ZRRE shtyn afatin për dhënien e komenteve për ristrukturimin e tarifave

ZRRE shtyn afatin për dhënien e komenteve për ristrukturimin e tarifave

Zyra e Rregullatorit për Energji ka shtyrë afatin për dhënien e komenteve për ristrukturimin e tarifave deri më datën 31 janar.

Një vendim i tillë është marrë duke marrë parasysh interesimin e palëve të interesit për të ofruar komente në raportet e publikuara për konsultim publik, raportin mbi të Hyrat e Lejuara Maksimale (HLM) të KOSTT dhe të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), dhe raportin konsultativ që paraqet qëndrimet e ZRRE-së për ristrukturimin e tarifave të nevojshme për të përmbushur kostot e blerjes së energjisë elektrike dhe për të rivendosur furnizimin me energji elektrike për konsumatorë.

Zyra e Rregullatorit për Energji ka publikuar më herët këtë muaj raportin konsultativ për shtrenjtimin e energjisë elektrike, e cila është kundërshtuar nga partitë opozitare në Kuvend, por jo edhe të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet. Po ashtu sot është protestuar nga qytetarët kundër rritjes së çmimit të rrymës.

Propozimi i ZRRE-së është që çmimi i rrymës të rritet për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kWh në muaj, ndërsa ata që shpenzojnë deri në 800 kWh ose më shumë, nuk do t’i ndihmojë as subvencioni i Qeverisë prej 75 milionë eurosh.

ZRRE propozon që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh, ndërsa ata që shpenzojnë 1000 kwh do të përballen me rritje prej 24.62 euro.

Nëse Qeveria nuk i ndan subvencionet, ZRRE-ja e konsideron të nevojshëm rritjen e çmimit të rrymës edhe për kategoritë tjera. Në këtë rast, ZRRE propozon që tarifat e energjisë elektrike të ndryshohen në mënyrë që për konsumatorët biznesorë të rritet çmimi i rrymës me 9 për qind.

Rritje e çmimit të rrymës me 9 për qind është propozuar edhe për amvisëritë, të cilat konsiderohet se shpenzojnë deri në 600 kWh energji në muaj.


Në këtë rast, gjithashtu propozohet që aplikimi i tarifës prej 0.21 euro/kWh për energjinë e shpenzuar në kohën e tarifës së lartë gjatë ditës dhe 0.09 euro/kWh për energjinë e shpenzuar në tarifën e ulët gjatë natës.

Konsumatori që shpenzon 300 kWh në muaj vlerësohet si konsumator që shpenzon energjinë e nevojshme për të mbuluar nevojat esenciale për një familje katër anëtarësh. Gjatë vitit, 20.5% e konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj, sipas ZRRE-së. Këta konsumatorë futen në kategorinë A.

Konsumatori që shpenzon 450 kWh në muaj paraqet konsumin mesatar të një konsumatori të amvisërisë gjatë vitit.

Bazuar në të dhënat e KEDS-it, konsumi mesatar (nga viti 2012 – 2020) nga amvisëritë që shpenzojnë mbi 300 kWh në muaj, është ~ 460 kWh/muaj. Konsumi mesatar më 2021 për amvisëritë që shpenzojnë mbi 300 kWh/muaj energji elektrike është rreth 440 kWh. Gjatë vitit, 44 për qind e konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj. Këta konsumatorë futen në kategorinë B.

Konsumatori me konsum 600 kWh në muaj paraqet konsumin bazik minimal të një konsumatori me ngrohje elektrike gjatë dimrit, në bazë të analizave gjatë vendosjes së bllokut në tarifat e kaluara, 69 për qind të konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj gjatë vitit, dhe 79 për qind të konsumatorëve nuk e kalojnë këtë nivel gjatë muajve të verës. Këta konsumatorë futen në kategorinë C.

Konsumatori që shpenzon 800 kWh në muaj paraqet një konsumator me konsum mbi bllokun e propozuar. Këta konsumatorë futen në kategorinë D.

Konsumatori që shpenzon 1000 kWh në muaj paraqet një konsumator me konsum më të lartë të energjisë elektrike. Këta konsumatorë futen në kategorinë E.

Raporti konsultativ: https://drive.google.com/file/d/1Ge-xIImMmq9BGwaN2eszHrT_OK9iHMxe/view

Lexo edhe

Video