ZRRE: Po kërkohet shqyrtim i jashtëzakonshëm i tarifave të rrymës, pasi Qeveria s’ndau subvencione

ZRRE: Po kërkohet shqyrtim i jashtëzakonshëm i tarifave të rrymës, pasi Qeveria s’ndau subvencione

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka treguar se furnizuesi i energjisë elektrike ka paraqitur kërkesë zyrtare pranë këtij institucioni për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, meqë Qeveria e Kosovës nuk ka realizuar subvencionimin, siç ishte zotuar në fillim të vitit.

ZRRE-ja në një komunikatë për media thotë se brenda 20 ditëve punë presin arsyetim nga FSHU-ja për këtë kërkesë, dhe se e njëjta do të shqyrtohet dhe pastaj do të hapet shqyrtimi i jashtëzakonshëm i tarifave me pakicë për konsumatorët.

Sipas ZRRE-së, një kërkesë e tillë është bërë pas trendit në rritje të çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike.


“Furnizuesi i energjisë elektrike, i ngarkuar me obligimin e shërbimit publik si Furnizues me Shërbim Universal (FShU/KESCO), ka paraqitur kërkesë zyrtare tek ZRrE për hapjen e Shqyrtimit të jashtëzakonshëm të Të Hyrave të Lejuara Maksimale për FShU. FShU, kërkesën e tij e mbështetë në operimin nën kosto, si rezultat i mungesës së subvencionit të zotuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe trendit në rritje të çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike.

Nga momenti i paraqitjes së kërkesës për Shqyrtim të jashtëzakonshëm, FSHU brenda 20 ditëve të punës duhet të paraqes arsyeshmëri të detajuar bashkë me kalkulimet e ndikimit financiar. Pas pranimit të arsyeshmërisë së detajuar, ZRRE do të shqyrtojë kërkesën e FSHU-së për të parë nëse tejkalohet pragu i materialitetit prej 5% i të hyrave të FSHU-së dhe plotësohen kushtet e Rregullës për të Hyrat e FSHU-së që të hapet Shqyrtimi i Jashtëzakonshëm i tarifave me pakicë për konsumatorët e rregulluar të energjisë elektrike.

ZRRE do të mbajë të njoftuar publikun në lidhje me veprimet që do të ndërmerren”, thuhtet në njoftimin e ZRRE-së.

Lexo edhe

Video