Zjarret në Greqi, gjenden tetëmbëdhjetë trupa

Zjarret në Greqi, gjenden tetëmbëdhjetë trupa

Tetëmbëdhjetë trupa janë gjetur në një zonë pyjore të Greqisë veriore të goditur nga zjarret gjatë katër ditëve të fundit, thotë shërbimi grek i zjarrfikësve.

Raportet e para sugjerojnë se ata që kanë vdekur mund të kenë qenë emigrantë. Një mjek dhe grup hetimor po shkojnë në vendngjarje në pyllin e Dadias, shkruan BBC.

Rajoni i Evros në Greqinë verilindore, jo shumë larg kufirit turk, është shkatërruar nga zjarret.

Një spital në qytetin e Aleksandoupolis u desh të evakuohej.


Foshnjat e porsalindura dhe pacientët e kujdesit intensiv ishin midis atyre që u zhvendosën gjatë natës në një traget në port.

Parku kombëtar Dadia është një zonë e madhe pyjore në veri të Aleksandoupolis dhe zjarret mendohet se janë përhapur me shpejtësi atje që nga e hëna.

18 trupat u gjetën të martën pranë një kasolle jashtë fshatit Avantas, thanë raportet, kur brigada e zjarrit inspektoi mbetjet e djegura të një ndërtese.

Zëdhënësi i shërbimit të zjarrfikësve, Yiannis Artopios tha se po hetohet mundësia që viktimat të kishin hyrë ilegalisht në Greqi, duke qenë se nuk kishte raportime për banorë të zhdukur.

Raportet e pakonfirmuara thanë se trupat u zbuluan në dy grupe dhe ekziston frikë se numri i viktimave mund të rritet. Shërbimi i zjarrfikësve tha se hetimet po vazhdojnë në zonën ku ishte përhapur zjarri.

Lexo edhe

Video