“Zgjoi”, nesër fillon votimi për nominimin e filmave për Oscars 2022

“Zgjoi”, nesër fillon votimi për nominimin e filmave për Oscars 2022

Aktorja e filmit “Zgjoi”, i nominuar për Oscar, Yllka Gashi ka njoftuar se nesër fillon votimi i anëtarëve të Akademisë Amerikane për të nominuar filmat për Oscars 2022.

Kosova për herë parë është në listën e ngushtë me gjasa reale për të siguruar një nominim.

“Duke ju falënderuar për përkrahjen e jashtëzakonshme që na e keni bërë gjatë krejt kësaj kohe, ju lus që ta shpërndani sa më shumë fotografinë e filmit tonë në rrjete sociale. Bashkë për Kosovën drejt Oscars 2022”, shkruan Gashi në një postim në Facebook.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për mbështetje financiare për zbatimin e masës 4.3 – mbështetja e kulturës dhe sportit. 

Me vendimin e aprovuar janë ndarë mjete financiare prej 95.725 eurove të cilat do të përdoren për mbështetjen e pjesës së dytë të kampanjës së filmit “Zgjoi”, i nominuar nga Republika e Kosovës për të garuar në kuadër të edicionit të 94-të të Çmimeve të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të filmit, Oscars.


“Zgjoi” (Hive) bëri histori, pasi për herë të parë një film artistik kosovar është në listën e ngushtë për çmimet Oscar.  

“Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit rrëfen historinë e Fahrijes e cila pas luftës ngeli e vetme me dy fëmijët, vajzën 3-vjeçare dhe djalin tre muajsh.

Në përpjekjet për mbijetesë si nënë e vetme në Kosovën e pasluftës, ajo u bashkua me disa gra të tjera të fshatit që kishin mbetur të veja dhe krijuan kooperativën bujqësore “Krusha”, që merren me përpunimin e turshisë dhe ajvarit.

Fahrija nuk heq dorë dhe vazhdon të luftojë jo vetëm për të mbajtur familjen e saj, por edhe për të luftuar paragjykimet kundër një komuniteti që është armiqësor ndaj saj.

Votimi i nominimeve fillon më 27 janar 2022 dhe përfundon të martën, më 1 shkurt 2022. Nominimet do të shpallen më 8 shkurt 2022.

Ceremonia e 94-të Oscar mbahet më 27 mars 2022 në Hollywood dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në më shumë se 200 vende botërore.

Lexo edhe

Video