Zgjedhjet, KQZ tregon mënyrën dhe kohën kur do të telefonohen mërgimtarët për verifikim

Zgjedhjet, KQZ tregon mënyrën dhe kohën kur do të telefonohen mërgimtarët për verifikim

Përkundër reagimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot e ka miratuar vendimin për verifikimin e votave për votuesit nga jashtë, përmes telefonit, ndërsa ka bërë të ditur se nga nesër nis periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës e cila do të përfundojë më 21 janar.

Për dallim nga një ditë më herët, anëtarët e Lëvizjes  Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Alim Rama votuan kundër vendimit për verifikimin e votave për votuesit nga jashtë përmes telefonit, ndërsa ky vendim u përcoll edhe me një abstenim.

E kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se për këtë institucion rëndësi primare është integriteti i votës, pavarësisht a është brenda apo jashtë Kosovës.

“KQZ është institucion i pavarur, i cili i merr vendimet në mënyrë kolegjiale dhe ne si KQZ në radhë të parë e kemi integritetin e procesit zgjedhor e pastaj vijnë interesat e subjekteve politike, interesat e gjithë të tjerëve, por në radhë të parë është integriteti i çdo vote, qoftë ajo nga diaspora apo nga qytetarët që votojnë në Kosovës, që ato duhet të jenë të vërteta dhe të sakta. Pra, duhet ta dimë se kush po e hedh votën ditën e zgjedhjeve, prandaj ai vendim dje i cili është marrë, edhe pse shumë i kontestueshëm nga të gjitha anët, megjithatë është vetëm një funksion në integritetit të të gjitha operacioneve e sidomos të vendvotimit. Ne e dimë që procesi I votimit jashtë Kosovës është proces shumë lehtë i manipulueshëm për faktin se ne komunikojmë vetëm përmes postës, andaj na duhen mekanizma të mbrojtjes për votë dhe mekanizma që e vërtetojnë që votuesit janë me të vërtetë ata të cilët janë regjistruar për votim jashtë Kosovës”, tha Daka.  

Kryetarja e KQZ-së ka thënë se aplikuesit e regjistruar për t’u konfirmuar do të telefonohen në tri faza.

Daka pasi e hodhi në votim këtë vendim, tregoi mënyrën dhe kohën se kur do të telefonohen aplikuesit jashtë vendit për verifikim.

“Pra, i kemi 7 vota pro. Kush është kundër? I kemi dy vota kundër, kush abstenon? Dy abstenime dhe dy vota kundër. Pra, aprovohet propozimi i Këshillit për Çështje Ligjore që të verifikohen të gjithë aplikuesit përmes telefonit. Pikat tjera janë: kontaktimi i aplikuesit përmes telefonit do të ndahen në tri faza. Thirrja e parë realizohet në orarin e punës sipas kohës lokale të Kosovës,  thirrja e dytë  realizohet dhe bëhen tentime të tjera gjatë orarit të rregullt të punës sipas kohës lokale të shtetit  dhe vendbanimit ku gjendet aplikuesi i shënuar në aplikacion. Dhe nëse aplikuesi nuk e hap telefonin as sipas pikës B do të bëhet tentimi edhe pas orarit të rregullt të punës sipas kohës lokale të shtetit të vendbanimit ku ndodhet aplikuesi i shënuar në apikacion. Neni katër thotë sekretariati i KQZ-së do të dorëzojë raportin me përmbledhje të rasteve me aplikacione të dyshimta dhe të pakonfirmuara dhe rekomandim për vendimmarrje, dhe në rast të dyshimit të verifikimit përmes telefonit dhe kur nuk konfirmohet aplikimi, sekretariati i rekomandon KQZ-së rastet për vendimmarrje”, tha Daka. 


Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së nga PDK-ja dhe kryesues i Këshillit Ligjor në KQZ, tha se me këtë vendim është tentuar të ruhet vota e diasporës dhe jo të vështirësohet procesi i votimit.

“Kjo sigurisht nuk ka ardhur si vullnet që t’I vështirësoj dikujt votimin e as aplikimin,  por ka ardhur si vullnet që të ruaj votën e gjithsecilit e veçmas të diasporës  që meriton që edhe vota e saj të  trajtohet dinjitetshëm dhe mos të keqpërdoret as emri dhe as vota e tyre. Në Këshill kemi rënë pothuajse të gjithë dakord  lidhur me përmbajtjen me nenet e udhëzimit, përveç një pike me të cilën realisht janë dy nga anëtar nuk kanë votuar pro asaj pike”, tha ai.

Kurse, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi propozoi që verifikimi të bëhet vetëm për aplikuesit e dyshimtë, por kjo mënyrë e verifikimit nuk mori përkrahje.

“Nga ajo që u shpjegua dhe nga diskutimi u pa se kemi pikëpamje të ndryshme sa i takon mbarëvajtjes së procesit. Për herë të parë ky proces po rregullohet në mënyrë normative. Deri më tash refuzimi i aplikimeve nuk ka pasur formë ligjore dhe tash e kanë një udhëzim që të tregojmë saktësisht rrjedhën e procesit të verifikimit. Edhe kjo është punë e mirë, dikujt i pëlqen, dikujt jo. Natyrisht, këtu i kemi dy çështje diskutabile. Në pikën 3 të vendimit të djeshëm kërkohet që të kontaktohet të gjithë aplikuesit që teknikisht do të jetë e pamundur me telefon dhe e dyta çështje diskutabile është se a ka ndonjë bazë ligjore, andaj ne kemi këto dokumente… Ne e kemi një çështje për të cilën nuk pajtohemi. Për çështje tjera jemi pajtuar si këshill dhe çështja është se a duhet të kontaktohen apriori të gjithë aplikuesit me telefon apo të verifikohen vetëm ata aplikues, të cilët bazuar në këtë udhëzim administrativ konsiderohen nga sekretariati, pas verifikimit të të gjitha dokumenteve, se a janë raste jo të rregullta apo të dyshimta. Këtu ka qenë pika ku ne kemi diskutuar pak më gjatë dhe nuk jemi pajtuar”, theksoi ai. 

Sami Hamiti, anëtari i KQZ-së, u shpreh se nuk e di se kujt po i pengon mënyra e verifikimit të votuesve jashtë vendit.

“Gjithçka që është menduar të jetë është që të forcohet procesi i integritetit dhe votimit. Nuk e kam të qartë pse dikujt i pengon që ajo të bëhet. Është keqinterpretuar në medie, jo e thërret njëherë dhe do ta eliminojë, jo janë procedura dhe thirret edhe herën tjetër, e herën tjetër dhe vendoset”, tha Hamiti.

Gjatë kësaj mbledhje u bë e ditur se nga 13 janari 2021 do të nisë periudha e  aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës dhe do të përfundojë më 21 janar 2021 në orën 18:00.  Po ashtu, KQZ ka votuar edhe planin e Prokurimit për vitin 2021.

Lexo edhe

Video

error: