Zgjedhjet komunale në Drenas, qytetarët presin përmbushjen e premtimeve

Zgjedhjet komunale në Drenas, qytetarët presin përmbushjen e premtimeve

Deri në orën 11:00, 6.80 për qind e qytetarëve të Drenasit e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar, ku të drejtë vote në këtë komunë kanë 54 mijë e 908 qytetarë.

Procesi zgjedhor po vazhdon i qetë dhe nuk është raportuar ndonjë parregullsi. Kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor, Burim Jonuzi, bëri të ditur për KosovaPress, se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë dhe se nuk ka ndonjë parregullsi.

“Në ora 07:00 janë hapur të gjitha vendvotimet dhe deri më tash gjithçka ka shkuar në rregull… Gjithsej të regjistruar si votues në Komunën e Drenasit i kemi 48 mijë e 908, po ashtu deri në orën 11:00 sipas raportimeve kanë dalë 6.80 për qind e votuesve që e kanë shprehur të drejtën e tyre për të votuar”, tha ai.

Jonuzi ka bërë të ditur se në Komunën e Drenasit janë 7 persona që janë identifikuar me COVID-19, e prej të cilëve veç një person ka shprehur dëshirën për të votuar. Mirëpo, ai tha se këtij personi i është përkeqësuar gjendja dhe i njëjti nuk ka pasur mundësi të votojë.

“Vetëm një person, i cili e ka konfirmuar se dëshiron të votojë ditën e zgjedhjeve, pra sot. Ne e kemi formuar një ekip mobil, i cili sot ka shkuar te personi, mirëpo atij fatkeqësisht i ishte rënduar gjendja dhe ishte shtrirë në spital”, tha ai.

Qytetarët që po votonin në shkollën “Rasim Kiçina” u shprehën se procesi i votimit po shkon në rregull dhe se nga këto zgjedhje presin më shumë vende pune.

Shkëlqesa Hamza, pasi votoi në këtë qendër të votimit, tha se pret që t’i ofrohet mundësia të punësohet në këtë qytet dhe të mos e mendojë largimin nga Kosova.


“Çka po presim është përafërsisht 80 për qind e premtimeve që i kanë bërë kandidatët t’i përmbushin për neve qytetarëve…Presim punësim për të rinjtë për shkak që rinia të mos kërkojë të dalë jashtë vendit, por të na i krijojnë këtu mundësitë për të punuar në vendin tonë”, tha ajo.

Qytetari Arif Hasi, tha se pret që të fitojë ai që mendon për të mirën e qytetarëve të Komunës së Drenasit.

“Procesi i votimit është shumë mirë, në rregull, presim që ai më i miri të fitojë dhe qytetarët të jenë të kënaqur për atë që e zgjedhin”, tha ai.

Edhe Sami Hysenaj, tha se gjithçka gjatë procesit të votimit ka shkruar me rregull.

“Procesi i votimit shkoi mirë, nuk kishte tollovi, organizimi ishte në rregull…presim që të vazhdohen proceset”, tha ai.

Në Komunën e Drenasit janë gjithsej 73 vendvotime. Sipas KQZ-së, në zgjedhjet e sotme komunale në Kosovë janë 90.586 votues më shumë, krahasuar me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të 14 shkurtit 2021.

Numri i votuesve të rinj është 41.012, prej të cilëve 24.697 kanë arritur moshën 18-vjeç pas datës 14 shkurt 2021 dhe 8.937 votues, të cilët mund të konsiderohet se janë regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Lexo edhe

Video

error: