Favorizuar nga moti me diell, zgjatja e sezonit turistik përtej muajve tradicionalë të verës shtoi fluksin e vizitorëve të huaj në vendin tonë edhe në muajin shtator.
Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në shtator, në vend hynë 1.1 milionë shtetas të huaj, me një rritje prej 45% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Edhe për periudhën janar-shtator, shifrat tregojnë një rekord historik. Në vend kanë hyrë gjithsej 8.3 milionë shtetas të huaj, që është një shifër 29% më e lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Sipas njoftimit të INSTAT, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin shtator 2023, janë 1.651.151. Ky tregues rezulton me një rritje 36,6%, krahasuar me shtator 2022.
Në shtator 2023, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 546.961. Ky numër është rritur me 22,3%, krahasuar me shtator 2022.
Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.104.190. Ky numër është rritur me 45,0%, krahasuar me shtator 2022, raporton ATSh, transmeton KosovaPress.