Zënka mes Donnarummas dhe Neymar në fushë, biseda vazhdon edhe në “WhatsApp”

Zënka mes Donnarummas dhe Neymar në fushë, biseda vazhdon edhe në “WhatsApp”

Sulmuesi i Paris Saint-Germain Neymar ka shpërndarë një bisedë private nga “WhatsApp” me bashkëlojtarin e tij Gianluigi Donnarumma, duke mohuar spekulimet se të dy janë përfshirë në një zënkë pas humbjes 3:1 mbrëmë në Ligën e Kampionëve kundër Real Madridit.

Neymar i ka përgënjeshtruar të gjitha spekulimet që ai kishte një konfrontim verbal me bashkëlojtarin e tij te PSG Gianluigi Donnarumma, përcjell KosovaPress.

PSG mbeti i shokuar pasi që u eliminua nga Liga e Kampionëve mbrëmë nga Reali, ku një hat-trick nga Karim Benzema kompletoi “remontadan” e “Galaktikëve”, gjë kjo që trajneri Carlo Ancelotti e cilësoi si magji.

Pas humbjes, raportohej se në zhveshtore ishte nevojitur ndërhyrja nga lojtarët e tjerë për t’i ndarë Donnarumman dhe Neymar nga zënka, ndërkaq tani Neymar i ka demantuar menjëherë këto spekulime përmes një bisede në “WhatsApp” me Donnarumman.


Në foto shihet si Donnarumma i dërgon një link të një lajmi Neymar për zënkën e tyre, duke i kërkuar falje yllit brazilian.

“Hej Neymar, kërkoj falje për mbrëmë. Ky lajm është i papranueshëm”, shkruante Donnarumma.

Ndërkaq Neymar ishte përgjigjur duke i treguar portierit italian përkrahje.

“Shoku, gjithçka është mirë! Kjo mund të ndodhë në futboll, ne jemi një ekip dhe ne jemi me ty. Ti je ende tejet i ri dhe veçse ke arritur shumë gjëra. Ngritu lartë dhe vetëm vazhdo! Të përqafoj!”, ishte përgjigja e Neymar.

Foton e kësaj bisede mes Neymar dhe Donnarummas e gjeni më poshtë.

Lexo edhe

Video