Zemaj: Dorëheqja e Latifit dështim i Kurtit si kryeministër

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj  është shprehur se ministri i shëndetësisë, Rifat Latifi ka dhënë dorëheqje nga ky post për shkak të dështimit të Albin Kurtit si kryeministër dhe ministër i Shëndetësisë.

Zemaj përmes një konfeence për media ka shprehur shqetësimet lidhur me gjendjen e sektorit të shëndetësisë.

“Tashmë është më se e vërtetuar se paaftësia qeverisëse mbetet kryefjalë e pushtetit aktual, e normalisht edhe sektori i shëndetësisë nuk bën përjashtim. Kanë kaluar  18 muaj nga puna e kësaj qeverie ku 3 ministra deri më tani përfshirë edhe Kurtin e kanë udhëhequr ministrinë e Shëndetësisë. I pari ka qenë më i dobët se i dyti, e i treti pra Kurti është më i dobët se i dyti dhe i pari. Dorëheqja e doktor Latifit  vjen si pasojë e dy faktorëve shtesë dështimin e Kurtit si kryeministër por edhe dështimin e Kurtit si ministër i Shëndetësisë. Mos të harrojmë se për këta 18 muaj  kanë ndodhur një sërë dështimesh dhe padrejtësish, këto në kurriz të qytetarëve e pacientëve”, tha ai.

Ish ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar se në shëndetësi po bëhen ndërhyrje eklatante, derisa theksoi edhe padrejtësitë e shumta që po i bëhen pacientëve.


“Është shumë e padrejtë ndërhyrjet eklatante që kanë ndodhur në sektorin e shëndetësisë në përzgjedhjen e drejtorëve politik të klinikave pa përvojë në menaxhim dhe e cila është ndër faktor ose shkaktarët kryesor të dobësive që i kemi qoftë në spitale rajonale por edhe në tërë shërbimin spitalor. E padrejtë është kur afro mijëra operacione bëhen më pak në kuadër të ShSKUK-së e shumë më shumë paramendoni në sektorin publik nga këta 18  muaj qeverisje. E padrejtë është kur qindra qytetarë kërkojnë shërim jashtë vendit, ndërsa pushteti qëndron si spektator. E padrejtë është kur lista e pritjes për të marr shërbime shëndetësore ka arritur pothuajse deri në fund të vitit 2024. E padrejtë është mungesa e barnave nga lista esenciale dhe një padrejtësi është fakti se aty është një hije e zezë keqpërdoruese e cila shumë shpejt do të marr formën e një hije të keqe korruptuese”, tha ai.

Deputeti Zemaj madje pati edhe një pyetje derisa u shpreh se  me komisione nuk mund të mbulohen dështimet në shëndetësi.

“Pas dorëheqjes së doktorit Latifit a është Kurti ministër i ri i vetëm i shëndetësisë apo  do të ketë edhe një person tjetër të radhës për të mbuluar  dështimet e tij, do të ishte e drejtë që ai sot të dilte dhe të thoshte  se do të merret personalisht me këtë çështje”, theksoi Zemaj.

Gjatë ditës së djeshme ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi i cili para 10 muajve ishte emëruar në këtë pozitë. Latifi ishte kritikuar vazhdimisht se nuk po i adreson problemet e sektorit të shëndetësisë./B.Ibishi/

Lexo edhe

Video