Zejnullahu-Raçi: Buxheti dhe rënia e numrit të anesteziologëve sfidë për ShSKUK-në

Për rreth katër orë ka zgjatur Komisioni për Shëndetësi, ku raportuan kryesuesja e bordit të ShSKUK-së, Aida Rexhepi dhe ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së këtij institucioni, Pranvera Zejnullahu- Raçi. Kjo e fundit ka thënë se buxheti dhe numri i vogël i anesteziologëve janë dy sfidat kryesore me të cilat po përballet shëndetësia në Kosovë. Ajo u zotua se është duke u marrë intensivisht me problemet, por deklaroi se situata nuk është jashtë kontrollit. Ndërkaq, kryetarja e bordit tha para anëtarëve të komisionit se ka bashkëpunim me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi. Opozita ka kritikuar punën e bordit, ku u tha se nuk po mbron personelin shëndetësor. Në mbledhjen e sotme u diskutua edhe buxheti i mbetur për këtë vit.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi theksoi se nga gushti kur ka marrë këtë pozitë ka probleme të shumta që ka identifikuar dhe ia ka prezantuar bordit.

Ajo gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi ka deklaruar se asgjë nuk është jashtë kontrollit dhe janë në koordinim me Ministrinë e Financave.

“Buxheti është sfidë momentale, për të cilin ne mund të diskutojmë dhe ka rezultuar nganjëherë edhe me marrjen e masave dhe vendimeve që është dashur të merren aty për aty. Edhe që ne jemi për çdo ditë duke përcjellur situatën. Dua ta bëjë publike që nuk është asgjë jashtë kontrollit dhe jemi tërë kohën në koordinim me Ministrinë e Financave. Çka është një problem, është se ndonjëherë disa projekte të cilat duhet t’i fillojmë tash për shkak të ligjeve aktuale që të gjitha procedurat e prokurimit duhet të përfundojnë në tetor, atëherë edhe disa projekte që është planifikuar më herët nuk mund t’i fillojmë tash”, ka deklaruar ajo.

Sfidë tjetër ajo tha se është rënia e numrit të anesteziologëve.

“Sfidë tjetër që na ka dalë është rënia e numrit të anesteziologëve, mirëpo unë kam kërkuar nga drejtori i Anestezionit, pres brenda javës deri në fund të tetorit se ka mënyra të ndryshme dhe të organizohen më pak salla, por të cilat mund të jenë efektive. Kështu që po pres një plan prej drejtorit të Anestezionit me këtë numër, jo secila klinikë të ketë anesteziologun e vet, sepse i kemi mbi 40 salla operative, munden me 10 salla të punojnë më pak anesteziologë por me qenë më efektivë. Kjo është një prej ideve që jemi duke e shqyrtuar”, ka vijuar ajo me përgjigjet e saj.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku-Mullhaxha ka pyetur për mungesën e barnave dhe buxhetin që posedon aktualisht ShSKUK. Për cka, u.d e drejtoreshës së ShSKUK-së ka thënë se furnizimi nuk ka qenë i keq për QKUK-në, por nuk ka pasur planifikim të mirë. 

“Kam të dhëna prej Bankës Qendrore, furnizimi nuk ka qenë keq për QKUK-në, të folim drejt. Nëse është furnizuar me barna QKUK prej 98 deri në këtë periudhë, spitalet rajonale asnjë nuk është nën 76 për qind. Është hera e parë kur qeveria ka ndarë më së shumti para, për buxhetin për barna. Një prej punëve të mia intensive që jam marrë qysh në javën e parë në baza ditore bashkë me menaxhmentin ka qenë Onkologjia…. E kam bërë një analizë dyjavore duke konsultuar edhe mjekë ekspertë nga jashtë se pse ka ardhur në këtë situatë…. Janë dy komponenta aty, në bazë të gjithë kësaj kemi ardhur në përfundim që ta planifikojnë mirë në bazë të numrit të pacientëve. Sepse këtu ka ndodhur një mos planifikim nga ish-menaxhmenti i Onkologjisë, i cili ka planifikuar një numër të barnave dhe pastaj po të njëjtit, fatkeqësisht, ka filluar jashtë protokollit edhe asaj që kishin planifikuar për pacientët tjerë”, ka shtuar ajo para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi.

Ajo shtoi se ka kërkuar që pacientët të pajisen me kartela dhe terapia të merret në bazë të saj. 

Para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi ka raportuar edhe kryesuesja e Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Aida Rexhepi.

Ajo tha se kanë raporte të mira me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi dhe se ka mirëpritur themelimin e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi.

“Po, kemi bashkëpunim (me ministrin e Shëndetësisë). Për çdo gjë jemi në kontakt, takohemi me ministrin e Shëndetësisë. Jemi të gjithë në një vijë për t’i shtyrë proceset përpara. Nuk mund të them që gjithçka shkëlqen në shëndetësi, ajo është për tu parë, nuk do koment… Ne kemi mirëpritur një iniciativë të tillë nga kryeministri dhe e vlerësojmë jashtëzakonisht, sepse duan të ndihmojë sektorin shëndetësor. Nuk është që ne kemi dalë të paaftë në këtë drejtim, por mbështetja e tij na ndihmon shumë kur është fjala edhe për buxhetin ”, ka deklaruar ajo.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka pasur kritika për këtë bord, ku tha se nuk po mbron mjekët dhe infermierët. Sipas tij, këtë vit ka ngecje në shërbim, menaxhim dhe investime të reja.

“Bordi ka ndërhyrë në mënyrë eklatante në përzgjedhjen e drejtorëve të klinikave, të mjekëve të rinj ku ka edhe shumë ankesa, ka procedime dhe kallëzime penale, por më së shumti ndërhyrjet që janë theksuar për zgjedhjen e drejtorëve të klinikave…. Problemi tjetër që ka ndodhur është vërshimi i ujit në Onkologji. Çfarë është më e keqja edhe ministri i MSh-së duket që është njoftuar një javë ose dhjetë ditë pasi ka ndodhur vërshimi i parë”, tha Zemaj.

Derisa ka komentuar vendosjen e çipave për personelin shëndetësor, ai tha se kjo bëhet vetëm për njerëzit e liruar me kusht.


Pas kësaj ka reaguar, kryetarja e komisionit Fatmire Kollçaku-Mullhaxhi e cila kërkoi që të mos spekulohet dhe që Zemaj mos t’u marrë kohën e gjithë anëtarëve.  

Nuk jam në Lëvizjen Vetëvendosje të flas me digitron

Është mirë që mos me spekulu.

Unë po bëj pyetje, unë ta di emrin ty. Shpesh herë të kam thënë del në këtë anën tjetër dhe jep përgjigje.

Edhe ju është mirë që të përmblidheni pak sepse nuk po i jepni hapësirë, më shumë jeni duke bërë prezantim se sa po pyetni.

E nderuara kryetare tu kisha lut mos më pengo, unë i fundit e kërkova fjalën të gjithë heshtët. Nëse ka mundësi. Mos më ndërpre, nuk është punë e jotja kjo. Ti me pas pak ndërgjegje të bren brenga për këtë sektor.

Edhe mua shumë më bren që ti me na ligjëru.

Nuk jam në Lëvizjen Vetëvendosje ku atje flitni me digitron’, tha në Komisionin për Shëndetësi.

Debati i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje dhe atij të LDK-së ka vazhduar edhe për buxhetin e mbetur deri në fund të vitit për QKUK-në.

Shefi i Njësisë për Buxhet dhe Financa të QKUK-së, Sherif Bytyqi ka treguar nëse janë vetëm 150 mijë euro buxhet deri në fund të vitit.

“Informata prej 150 mijë euro është informatë që ka rrjedhur dje dhe kryesisht nga zyrtarët ku kemi pasur në sistem një buxhet të tillë… Zemaj: Kush po spekulon tash, turp me të ardh… Ajo informatë ka qenë zyrtare prej neve ku kemi të gjitha të dhënat në sistem. Çka ka ndodhur? Ne në buxhetin aktual duke pasur atë pesë milionëshin e kontestuar, se kemi qenë të planifikuar sidomos për listë esenciale, ku në gusht e kemi marrë këtë informacion se ky nuk mund të përdoret për listë esenciale, por është për COVID-19, ku kërkesat tona nuk e tejkalojnë 10 mijë euro. Atëherë ne kemi qenë të detyruar dhe kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Financave, dhe na është thënë që ‘ju lutem na tregoni kursimet e juaja cka keni mundësi të bëni dhe për pjesën tjetër shtesë na tregoni duke përfshirë edhe listën esenciale dhe kërkesat tjera. Ne me 22 të këtij muaji kemi dorëzuar një kërkesë të tillë dhe po presim një përgjigje, që përveç transfereve që kemi kërkuar për të mbuluar mungesat e tilla të listës esenciale, ne në ShSKUK kemi kërkuar transferin e 1 milion e 574 mijë euro dhe për QKUK 1 milion e 449 mijë e 900 euro. Shpresojmë që këto të dyja së bashku të bëjnë 3 milionë e 24 mijë euro, mirëpo mbesin edhe kërkesa shtesë duke e kompensuar atë keqkuptim të pesë milionëshi”, ka sqaruar ai.

Në komisionin i cili zgjati rreth katër orë, anëtari i komisionit Bekim Haxhiu foli edhe për listën e gjatë të pritjeve të pacientëve.

“Në vitin 2020, Valbon Krasniqi e informon opinionin se lista e pritjes për rezonancë magnetike është zero. Sot lista e pritjes për rezonancë magnetike, e nderuara kryetare e bordit është në dhjetorin e vitit të ardhshëm. Sepse që shtatë muaj është defekt rezonanca magnetike”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, Shemsedin Dreshaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deklaroi se shumë klinika nuk plotësojnë kriteret e klinikave.

“Shumica e klinikave në Qendrën Klinike Universitare nuk plotësojnë kriterin e klinikës. Stafi ka shkuar në pension, në Dermatologji nuk keni profesor, në Ortopedi nuk keni profesor a e dini? Në Kardiologji prej 11 ka rënë në 1, në Kirurgji prej 13 sa kanë qenë kanë rënë në një profesor”, ka përfunduar Dreshaj.

Në komision u përmend edhe ish-drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, për të cilën u pyet se pse u shkarkua. Ndërkaq, kryetarja e bordit të ShSKUK-së tha se i njëjti ka dhënë dorëheqje. /Sh.Pajaziti

Lexo edhe

Video