Zbulohet një vath i rrallë nga shekulli 11

Zbulohet një vath i rrallë nga shekulli 11

Një ekzemplar i rrallë i një vathi ari të shekullit 11, i cili ndoshta e ka origjinën nga Lindja e Mesme, është gjetur në Danimarkë, njoftoi sot Muzeu Kombëtar në Kopenhagë.

Bizhuteria e vlefshme u zbulua nga Franz Fugl Westergaard me ndihmën e një detektori metali në një fushë në Jilandën perëndimore.

Në një deklaratë nga muzeu në Kopenhagë thuhet se një objekt i tillë u zbulua për herë të parë në Skandinavi.

Shtohet se vathët janë ndoshta me origjinë bizantine ose egjiptiane të lashtë dhe besohet se kanë qenë një dhuratë nga perandori bizantin për udhëheqësin viking. Nga e hëna do të ekspozohet në muze.


“Për ne ky është një zbulim krejtësisht unik. Deri më tani, ne njohim vetëm 10 deri në 12 ekzemplarë të tjerë të ngjashëm në botë, por nuk kemi gjetur kurrë ndonjë objekt të tillë në Skandinavi”, tha eksperti i muzeut Peter Penz.

Vikingët sollën mijëra monedha argjendi nga fushatat, udhëtimet dhe ekspeditat e tyre tregtare, por mes tyre kishte shumë pak bizhuteri, tha Penz.

Ai ka thënë se është befasuar nga vendi ku është gjetur vathi, pasi pranë tij nuk ka asnjë vend të njohur për vikingët.

Ari që vikingët sollën nga Bizanti u gjet më parë nga arkeologët në varret e vikingëve së bashku me sende të tjera me të cilat ishin varrosur.

Vathi përbëhet nga një pllakë ari në formë gjysmëhëne, pjesa e brendshme e emaluar e së cilës futet në një kornizë ari dhe zbukurohet me fije të vogla ari. Motivi i paraqitur përfaqëson dy zogj të stilizuar rreth një bime që simbolizon pemën e jetës.

Lexo edhe

Video

error: