Zbulohen dy deputetët opozitarë që nuk zbatuan porosinë e Bashës, për Lindita Nikollën

Zbulohen dy deputetët opozitarë që nuk zbatuan porosinë e Bashës, për Lindita Nikollën

Në seancën e parë plenare që u mbajt në këtë legjislacion të ri është votuar që kryetare e Kuvendit të zgjidhet Lindita Nikolla. Për Nikollën votuan 79 deputetë pro, ndërsa të gjithë deputetët demokratë nuk votuan por e grisën fletën e votimit.

Kjo ishte një mënyrë që PD kishte zgjedhur për të mos i rrjedhur votat, siç ndodhi 4 vite më parë kur Gramoz Ruçi u zgjodh Kryetar i Kuvendit duke marrë 2 vota nga PD gjatë votimit të fshehtë.

Por kush janë deputetët që votuan pro emërimit të Lindita Nikollës?


74 vota janë të Partisë Socialiste, që kanë treguar se mazhoranca është solide edhe në votimin e fshehtë. Këtyre i shtohen edhe votat e tre deputetëve të PSD-së, partisë së Tom Doshit që ashtu siç pritej do të votojë pro qeverisë edhe këtë katërvjeçar.

Në kuti e kanë hedhur votën edhe 4 deputetët e LSI-së, por këta kanë deklaruar se votuan kundër Lindita Nikollës dhe në fakt, në përfundim të rezultatit dolën 4 vota kundër.

Dy votat e tjera pro që dalin nga lista e opozitës, ishte ajo e Vangjel Dules që nuk iu bind vendimit të grupit parlamentar të PD-së dhe ajo e Nusret Avdullait, i renditur i pesti në listën e Fierit nga Partia Demokratike, por që ka qenë pjesë e PDIU-së në këtë qytet.

Mbetet për t’u parë çfarë qëndrimi do të mbajë PD ndaj këtyre dy deputetëve, megjithëse Dule pritet të jetë pjesë e një grupi tjetër parlamentar të përbërë nga aleatët e PD-së.

Lexo edhe

Video