Zbatim apo anulim të Zajednicës ?!

Zbatim apo anulim të Zajednicës ?!

Marrëveshja mbi krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e vitit 2013, pastaj edhe ajo e vitit 2015, është bërë një barrë e madhe rreth qafës së Qeverisë së Kosovës. Derisa, marrëveshja e fundit është refuzuar nga Gjykata Kushtetuese, në frymë dhe përmbajtje dhe mund të mos respektohet, situata me të parën, e vitit 2013, qëndron më ndryshe.

Kjo marrëveshje është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës me 2/3 të votave, kurse kushtetutshmëria e saj nga Gjykata Kushtetuese është aprovuar vetëm në pjesën procedurale, por jo edhe në pjesën përmbajtjesore të saj. As që është kërkuar mendimi i Gjykatës për pjesën përmbajtjesore sepse, apriori është ditur se është në kundërshtim me Kushtetutën, kurse edhe vetë Gjykata i është shmangur shqyrtimit të përmbajtjes, nën trusni të fuqishme politike. Megjithatë, edhe sikur e tillë do duhej të zbatohet ose të ANULOHET!

Anulimet, tërheqjet, prishjet e marrëveshjeve, traktateve, kontratave nuk janë dukur e panjohur, as e pamundur. Në parim, anulimi bëhet sipas procedurës sipas së cilës janë edhe të aprovuar. Ja disa shembuj të këtyre anulimeve që për pak minuta mund të gjinden.   

– Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tërhequr zyrtarisht nga Marrëveshja Klimatike e Parisit (viti 2020)

– Turqia tërhiqet nga marrëveshja për mbrojtjen e grave (2021)


– Australia prish marrëveshjen me Francën mbi ndërtimin e nëndetëseve në vlerë prej 67,5 miliardë dollarë amerikanë (2021)

– Franca del nga traktati ndërkombëtar i energjisë ECT (2021)

– Austria tërhiqet nga marrëveshja e OKB-së për emigrantët (2018)

Pra, opozita e sotshme, bashkë me analistë, opinionistë, Akademi të shkencave dhe organizata joqeveritare, do ishte mirë të bëjnë trusni mbi Qeverinë e Kosovës për anulimin e Marrëveshjes mbi krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në vend se ta kërkojnë zbatimin e saj.

Opozita, në vend që të kërkon anulimin e Gjykatës speciale që edhe vet e dinë se është e pamundur, sepse është bërë pjesë e Kushtetutës së Kosovës dhe ajo nuk mund të ndryshohet pa 2/3 e votave të deputetëve serbë, do ishte mirë të bashkoj votat me pozitën dhe të ANULON këtë marrëveshje skandaloze!    

Lexo edhe

Video