Xhaferi: Maqedonia Veriore mbështet Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Xhaferi: Maqedonia Veriore mbështet Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë Veriore, dhe hapat e mëtejmë për shtimin e bashkëpunimit, ishin në qendër të takimit të sotëm të kryeministrit Albin Kurti me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi.

Kryeministri Kurti shprehu vullnetin e Qeverisë së Kosovës për të rritur koordinimin ndërinstitucional dhe për të thelluar më tej raportet ndërshtetërore miqësore.

Kryeparlamentari Xhaferi shprehu mbështetjen e pa rezervë të Maqedonisë  Veriore për synimet e Kosovës, dhe për të gjitha nismat për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ai tha se pikëpamjet dhe pikësynimet e të dy vendeve janë të përbashkëta.

Duke biseduar për kontekstin aktual politik dhe gjeopolitik të rënduar, pas invazionit rus dhe agresionit ushtarak në Ukrainë, u theksua interesimi për të koordinuar politikën e jashtme në linjë me orientimin euroatlantik të të dyja vendeve dhe në raport me aleatët ndërkombëtarë.

Kryeministri Kurti theksoi se është tejet e vlefshme që qëndrimet e të dy shteteve të forcohen me bashkëpunim të ndërsjellë. Ai tha se duhet të jemi të kujdesshëm, teksa nuk frikësohemi.


Ndërsa, Xhaferi tha se beson që këto zhvillime kanë ndikuar në ndërgjegjësimin e BE dhe NATO-s, për të përshpejtuar procedurat e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor që janë në këto procese.

Gjatë takimit u ngrit shqetësimi për militarizimin e Serbisë, dhe kërcënimin që paraqet kjo për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Kryeministri Kurti theksoi se këtë situatë e rëndon mohimi i njohjes së Kosovës nga Serbia, mohimi i krimeve të kryera nga Serbia në luftën e viteve 1998-1999 si dhe refuzimi i Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Këtë pranverë në mbarë Kosovën përkujtohen përvjetorët  e masakrave të kryera nga Serbia mbi popullatën civile, tha ai.

Në takim u bisedua për progresin e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjen e përbashkët në mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë Veriore, mbajtur më 16 shtator 2021 në Shkup, si dhe për rrugën Prizren- Tetovë dhe përshpejtimin e punimeve për të mundësuar ndërlidhjen infrastrukturore dhe për të lehtësuar komunikimin mes dy vendeve.

Në aspekt të raporteve ekonomike u fol për shkëmbimet tregtare dhe investimet ekonomike.

Lexo edhe

Video