Xhafer Gashi edhe zyrtarisht aderon në degën e LDK-së në Obiliq, mirëpritet nga kryetari Abixhiku

Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi edhe zyrtarisht sot bashkë me anëtarët e Iniciativës Qytetare aderuan në Lidhjen Demokratike të Kosovës(LDK).

Kryetari i Obiliqit, Gashi theksoi se prej sot rrugëtimi i tij do të jetë bashkë me LDK-në, siç u shpreh ai për të vetmin qëllim, të mirën e qytetarëve të Obiliqit dhe më gjerë.

Gashi tha se do të merr pjesë nëpër të gjitha proceset zgjedhore në degën e kësaj partie në Obiliq.

 “Pas procesit të zgjedhjeve ne si Iniciativë përmbyllëm një proces me sukses, dhe filluar pastaj bashkë me strukturën që të bashkëbisedojmë për çështjen e rrugëtimit të mëtutjeshëm për arsye të shumta, sepse niveli ynë lokal çdo herë do të ketë nevojë për mbështetje të nivelit qendror dhe këtë rrugëtim e gjetëm tek kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Abdixhiku. Andaj, unë nga sot shpalli se do të jem anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe do të marrë pjesë nëpër proceset zgjedhore që do t’i ketë dega e Obiliqit”, tha ai.

 Me këtë rast, kryetari i LDK-së ka mirëpritur aderimin e Gashit, ish-luftëtarin e Koshares, për të cilin tha se është i pasur me vlera patriotike, që tashmë është edhe në shërbim të qytetarëve në Obiliq si kryetar komune.


“Sot është një ditë e veçantë për shtëpinë tonë të përbashkët politike, për Lidhjen Demokratike të Kosovës, është ditë e rritjes, është ditë e bashkimit dhe ditë e vënies së themeleve të qëndrueshme të LDK-së në Obiliq e më gjerë. Prandaj, më lejoni t’i uroj mirë se ardhje në shtëpinë tonë e tuaj pa dallim LDK, në lidhjen e Ibrahim Rugovës. Sot në këtë ceremoni i shprehim mirëseardhje të veçantë luftëtarit të Koshares, kryetarit tuaj e tonit, patriotit Xhafer Gashi. Mikut të Agim Ramdanit dhe Sali Çekajt, Xhafa i juaj ka një jetë të pasur patriotike, tashmë në shërbim të qytetarëve”, u shpreh ai.

 Kryetari Abdixhiku ka quajtur Qeverinë të paaftë për të udhëhequr vendin drejt proceseve euroatlantike.

 “Kjo rrugë përpara s’është e lehtë. Ajo e gjen fillimisht Kosovën në udhëkryqe të rëndësishme përpara. Kjo barrë bëhet edhe më jetike, kur Kosova udhëhiqet nga fryma populliste e të paafta për të drejtuar vendin në binare euroatlantike. Prandaj bashkimi ynë, rritja jonë, hapja jonë ndaj patriotëve si Xhafer Gashi e veprimtarëve të të tjerë në të gjitha nivelet organizative të partisë është esenciale”, tha kryetari i LDK-së.  

Derisa LDK ka shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme në 11 degët e saj, me vendimin e kryesisë qendrore të kësaj partie është emëruar edhe komisioni koordinues për zgjedhjet e jashtëzakonshme për degën e Obiliqit në këtë përbërje: Bajram Hashani kryesues, Ganimete Aliu, Burim Graiçevci, Arben Berisha dhe një anëtar i kryesisë qendrore.

 Hashani me këtë rast mbajti një fjalë rasti dhe theksoi se edhe dega e Obiliqit po nënshtrohet reformave. Kryetari i komunës, Xhafer Gashi duke shpallur të mbyllur Iniciativën Qytetare, sot i ka dorëzuar kryetarit të LDK-së folderët me mbi 1000 anëtarë.

Gashi në këtë mandat në krye të komunës së Obiliqit ishte zgjedhur nga Iniciativa Qytetare. Kujtojmë se ai kishte dhënë dorëheqja nga AAK dhe strukturat e saj në mars të vitit 2021./KosovaPress/

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.