Xhaçka në Londër: Ballkani i Hapur, nismë gjithëpërfshirëse

Xhaçka në Londër: Ballkani i Hapur, nismë gjithëpërfshirëse

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, organizuar në Londër me ftesë të sekretares britanike për Punët e Jashtme, Elizabeth Truss, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të lartë të BE, SHBA e Britanisë së Madhe, Miroslav Lajcak, Gabriel Eskobar dhe Stuart Peach.

Ministrja Xhaçka u shpreh se mbështetja e aleatëve të Ballkanit Perëndimor vjen si një sinjal mbështetjeje të vazhduar për rajonin dhe si një garanci që rajoni do të vazhdojë të avancojë në rrugën e integrimit euro-atlantik.


“Lajmi i mirë nga të gjithë takimet sot me Mbretërinë e Bashkuar, por edhe me SHBA dhe BE, është vendosmëria e tyre për të hapur një kapitull të ri të angazhimit ekonomik me rajonin tonë, duke e parë gjithnjë e më shumë atë si një hapësirë të vetme ekonomike dhe zhvillimore. Një hapësirë gjithëpërfshirëse, siç është ajo që parashikon nisma Ballkani i Hapur, që gëzon mbështetje ndërkombëtare dhe që në gjykimin tonë duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Që do të thotë që ne duam që pjesë e saj të bëhen edhe Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi. Kjo nuk do të thotë se ne mund t’i detyrojmë fqinjët tanë të bashkohen kundër vullnetit të tyre në atë që në këtë fazë është e qartë se është ende në progres. Por kjo do të thotë se ne do të punojmë pa u lodhur për të shpjeguar nismën dhe që të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen kësaj hapësire të vetme, duke u përgatitur kështu për integrim në BE”, tha Ministrja pas takimeve në kryeqytetin britanik.

Takimi i kryediplomatëve të rajonit në Londër, vjen një ditë pas takimit të ministrave të Jashtëm të G7 në Liverpul./tch

Lexo edhe

Video