VV: Përpjekja e Thaçit për Qeveri të unitetit, shkel Kushtetutën

VV: Përpjekja e Thaçit për Qeveri të unitetit, shkel Kushtetutën

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qendrave të kësaj partie, i ka quajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme të paevitueshme, pasi që përpjekjet e presidentit Hashim Thaçi për të formuar një qeveri të unitetit, janë të rrezikshme pasi shkel Kushtetutën.

Në këtë mbledhje të drejtuar nga sekretarja organizative, Vlora Haxhimehmedi dhe koordinatori i Qendrave, Valon Hoti, kryetari Kurti njoftoi përfaqësuesit e qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje me vendimet që ka marrë qeveria për ta luftuar koronavirusin dhe ato që parashihen të ndërmerren për të ndihmuar bizneset, punëtorët dhe ata që kanë më së shumti nevojë.

Ai foli edhe për shkarkimet e bordeve dhe zyrtarëve institucionalë që janë bërë muajt e kaluar, për mocionin e votëbesimit javës që shkoi, dhe për hapat e ardhshëm që Lëvizja Vetëvendosje do t’i ndërmarrë në lidhje me situatën e krijuar politike dhe pandeminë COVID-19.


“Vota e deputetëve më 25 mars kundër Qeverisë në Kuvendin e Republikës është votë që na drejton drejt kutive të votimit. Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të paevitueshme. Orvatjet e presidentit për të bërë Qeveri të “unitetit” janë të rrezikshme sepse e shkelin Kushtetutën, gjegjësisht nenin 82 pikën 2 të saj”, thuhet në komunikatë.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se gëzon mbështetjen më të madhe që e ka pasur ndonjëherë dhe se në adresat e saja kanë mbërritur kërkesa e interesime si dhe janë bërë anëtarësime ‘online’ si asnjëherë më parë.

“Meqenëse zgjedhjet janë afër është detyrë e secilit prej nesh të punoj që të rritet organizata jonë. Legjitimiteti buron nga zgjedhjet. Zgjedhjet e fundit i ka fituar Lëvizja jonë e jo partitë e tjera. Nuk mund e nuk do ta lejojmë të vidhet vota për ndryshim. Deri atëherë, kujdes të shtuar e qëndrim të mbarë nëpër shtëpi. Qytetarët e vetizoluar nga virusi COVID-19 po vazhdojnë të jenë aktiv. Nuk ka sfidë më të rëndësishme se fitorja përballë këtij virusi, punë për të cilën u përgëzua kryeministri nga e gjithë organizata jonë. Pas kësaj përballje do të bëhemi gati për zgjedhje”, përfundon komunikata e Lëvizjes Vetëvendosje.

 

Lexo edhe

error: