Vushtrria bëhet me dy çerdhe të reja, ndërtimi i tyre kushtoi mbi 400 mijë euro

Komuna e Vushtrrisë ka investuar mbi 400 mijë euro për ndërtimin e dy çerdheve të reja, njëra prej të cilave ka filluar punën ndërsa tjetra pritet muajin e ardhshëm. Kjo komunë tashmë numëron tri çerdhe publike.

Çerdhja e dytë publike e funksionalizuar në afërsi të shkollës fillore “Mustafë Venhari” tashmë është “shtëpi e dytë” për 80 fëmijë. Ndërkaq, çerdhja e tretë tek shkolla fillore “Ali Kelmendi” ka mbetur vetëm të kompletohet me infrastrukturë dhe të nisë punën, e cila po ashtu ka kapacitet për pranimin e 80 fëmijëve.

Nënkryetari i Komunës së Vushtrrisë, Afrim Namani, thotë se i kanë dhënë rendësi të madhe ndërtimit të çerdheve të reja dhe krijimit të kushteve që fëmijët vushtrrias të përfshihen në nivelin e edukimit të hershëm. Ai zbulon se plani parasheh që brenda dy viteve të ardhshme të ndërtohen të paktën edhe pesë çerdhe të tjera nëpër fshatra.

“Brenda këtij mandati Komuna e Vushtrrisë në ndërtimin e objekteve për nivelin e arsimit dhe edukimit parashkollor ka investuar diku mbi 400 mijë euro në ndërtimin e dy çerdheve, që njëra që është afër shkollës fillore ‘Mustafë Venhari’ veç ka muaj që është funksionalizuar dhe tashmë veç ka pranuar diku 80 fëmijë, aq sa ka kapacitetin. Çerdhja tjetër është diku në vlerë rreth 230 mijë euro pritet që brenda këtij muaji të përfundojë ndërtimi, jemi të gatshëm që të fillohet edhe më të prej 1 tetorit që të pranojmë fëmijët në atë çerdhe”, thotë ai.

Namani theksoi se me ndërtimin e dy çerdheve të reja kanë krijuar kushte që të rritet përqindja e fëmijëve 0-5 vjeç të përfshirë në edukimin e hershëm.


“Çerdhja e vetme publike që ka qenë në Komunën e Vushtrrisë, po e përsëris, ka pasur kapacitet maksimal 170 fëmijë, tash kur i shtojmë kësaj edhe 80 fëmijë me çerdhen e re të ‘Mustafë Venhari’ e po aq do të jenë të përfshirë diku edhe në çerdhen e re e cila pritet të përfundojë brenda këtij muaji që do t’i ketë edhe 80, do të thotë krijojmë kushte që të përfshihen më shumë se dyfish që kanë qenë të përfshirë deri më tani. Do të thotë diku mesatarisht presim që 350 fëmijë të përfshihen”, thotë Namani.

Ndërtimin e këtyre çerdheve e kanë mirëpritur prindërit vushtrrias, të cilët përveç çmimit më të arsyeshëm shprehen të kënaqur edhe me kushtet që u ofrohen fëmijëve të tyre.

Shefki Hyseni thotë se ndjehet më i sigurt që dy vajzat e tij Nina dhe Atika frekuentojnë çerdhen publike, ndërsa shprehet i lumtur me aktivitetet që zhvillohen aty.

“Jam shumë i kënaqur me kushtet, kushtet janë shumë të favorshme për vajzat, ambienti është shumë i sigurt, stafi është shumë bashkëpunues… Kushtet të krahasohen me privat janë shumë më të mira, ambienti është shumë më i madh, ambienti është shumë i favorshëm siç po e shihni edhe vet, jemi shumë të kënaqur me kushtet e kësaj çerdheje… Aktivitetet janë shumë të mira, mësueset janë shumë bashkëpunuese. Vajzat menjëherë e kanë gjetur vetën këtu, menjëherë janë adaptuar”, thotë ai.

Hyseni shprehet se falë ambientit të përshtatshëm dhe stafit profesional në çerdhe vajzat e tij janë ambientuar shumë lehtë.

Lexo edhe

Video

error: