Vuçiqi, hebrenjtë dhe shqiptarët

Vuçiqi, hebrenjtë dhe shqiptarët

Vuçiqi në Washington shpik tema e ide që janë joshëse për veshin e atyre që i dëgjojnë, sidomos për hebrenjtë, ndërkohë që Prishtina e Tirana zyrtare nuk arrijnë të bëhen bashkë për tema që nuk kanë nevojë të shpiken. Sepse shpëtimi i hebrenjve nga shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni gjatë LDB ishte realitet dhe çdo sforcim i kësaj teme për efekte propagandistike, siç po vepron Vuçiqi, do të dilte si bumerang

Serbët në njërën anë po arrijnë t’i fshihnin krimet e bëra në Kosovë, kurse në anën tjetër para botës po paraqiten si viktimë. Krejt kjo po ndodhë në kohën kur Kosova dhe Shqipëria janë të zëna me tollovitë e shkaktuara nga përçarjet dhe mosjpajtimet e brendshme, kurse Serbia me të madhe po punon që ta prezantojë veten si viktimë të gjenocideve të kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke mos e harruar Jasenovcin, si alibinë kryesore që përdoret për të barazuar fatin e tyre me atë të hebrenjve.

Në fillim të këtij muaji në Washington qëndroi Aleksandar Vuçiq, i cili ishte mjaft aktiv në dy plane: në paraqitjen e qëndrimeve zyrtare serbe mbi të ardhmen e marrëdhënieve me Kosovën, ku tash më flitet se në tavolinën e bisedimeve në mes tij dhe Hashim Thaçit ndodhet një draft marrëveshje mbi zgjidhjen finale të këtyre marrëdhënieve, në njërën anë, dhe në pjesëmarrjen e tij në Kongresin Amerikano-Izraelit të punëve publike (AIPAC) në Washington, me ç’rast paralajmëroi hapjen e ambasadës së Serbisë në Jerusalem, në anën tjetër.

Kongresi Amerikano-Izraelit i punëve publike (AIPAC) konsiderohet si një nga organizatat lobiste më me ndikim në SHBA, kurse kryetari i saj Beci Berns Korn, e prezantoi Vuçiqin si shefin e parë të një shteti nga Ballkani që po merr pjesë në një tubim të AIPAC-së.

Vuçiqi në fjalimin e tij është munduar të paraqes respektin dhe përkushtimin e shtetit serb ndaj hebrenjve, duke përmendur me këtë rast hapjen e ambasadës në Jerusalem, në të cilën do të valoj flamuri serb, si “shenjë mirënjohjeje ndaj historisë së vuajtjeve dhe mundimeve të popullit hebre”. Ai me këtë rast nuk ka lënë pa folur edhe për “fatin e përbashkët” që i ka ndjekur serbët dhe hebrenjtë gjatë historisë, kurse si ilustrim të kësaj “fatkeqësie të përbashkët” ai përmendi Jasenovcin.
Serbia ende nuk ka paguar një cent për pasojat e okupimit dhe shkatërrimit në Kosovë, mirëpo presidenti i saj Vuçiq, në Washington njoftoi se në vitin 2016 Serbia u bë shteti i vetëm në Europë që ka miratuar një ligj për dëmshpërblimin e pronës së viktimave të Holokaustit. Deri më tani shteti serb për këtë dedikim ka paguar 30 milion euro.

Vuçiq gjithashtu bëri të ditur në Kongresin e AIPAC në Washington se Serbia kohë më parë ka miratuar propozimin më të ri për ngritjen e një Qendre Memoriale në kujtim të gjithë hebrenjve që ishin ekzekutuar nga nazistët në një kamp përqendrimi në Beograd gjatë LDB.


Presidenti i AIPAC, Beci Berns Korn i entuziazmuar nga ky fjalim patetik e Vuçiqit e ka lavdëruar atë si kontribuues të madh në përmirësimin e marrëdhënieve me Izraelin, kurse Serbia, sipas tij, ka pasur “rol jashtëzakonisht të posaçëm në historinë e popullit hebre”.

“Unë jam i vetmi president që kam shënuar 75 vjetorin e çlirimit të Aushvicit me ngritjen e flamurit të verdhë me kryqin e Davidit mbi ndërtesën e Presidencës në Beograd. Kjo ka qenë mënyra se si nazistët i kanë stigmatizuar hebrenjtë që t’i dallojnë më lehtë, kurse unë kam dashur të tregoj mënyrën time të shprehjes së krenarisë që në ndërtesën e Presidencës e kemi atë flamur”, ka thënë Vuçiqi në tubimin e lobistëve hebrenj në Washington. Presidenti serb me këtë rast ka nënvizuar se Serbia, Izraeli dhe SHBA munden shumë të arrijnë nëse bashkëpunojnë në mes veti dhe nëse me bashkim fuqish angazhohen për interesa të përbashkëta.

Poentimi i Vuçiqit në temën e hebrenjve gjatë qëndrimit të tij në Washington ka si qëllim rikonfigurimin e Serbisë në pozitat sa më të mira gjatë kohës kur nga ajo po kërkohet të zgjidhë përfundimisht kontestet e hapura me Kosovën. Duke u vetëreklamuar si lobist i çështjes hebreje, Vuçiqi pikërisht në SHBA synon të arrijë atë që shqiptarët e kishin realizuar në vitet nëntëdhjeta deri në intervenimin e NATO-s. Duke treguar edhe histori të paqena nga e kaluara ku populli serb del shumë paqësor ndaj hebrenjve, duke qenë madje me ta edhe bashkëvuajtës, Vuçiqi me propagandën e tij të njohur nga koha e Millosheviqit, mundohet brenda natës të arkëtojë simpatinë e amerikanëve dhe hebrenjve në favor të kauzave të tij politike. Pjesë e atyre kauzave gjithsesi është mosnjohja e shtetit të pavarur të Kosovës dhe lobimi ndërkombëtar për çnjohjen e saj. Në këtë mënyrë ai po e ndërton profilin e tij prej burrështetasi serioz në tryezën e bisedimeve për marrëveshjen finale me Kosovën, ku pozicioni serb do të dilte më i fuqishëm, në saje edhe të lobimeve të bëra kohët e fundit në SHBA.

Se sa do t’i besojnë amerikanët Vuçiqit në gjithë këtë skenografi idesh e lëvizjesh politike, varet nga shumë faktorë, por ajo që e bën pozicionin e tij më të favorshëm në këto konstelacione ndërkombëtare është përçarja fatale e skenës politike të Kosovës, mu në kohën kur uniteti dhe bashkërendimi janë levat më të domosdoshme për të lëvizur këtë pjesë të procesit aq të nevojshëm për Kosovën dhe ardhmërinë e saj.

Vuçiqi në Washington shpik tema e ide që janë joshëse për veshin e atyre që i dëgjojnë, sidomos për hebrenjtë, ndërkohë që Prishtina e Tirana zyrtare nuk arrijnë të bëhen bashkë për tema që nuk kanë nevojë të shpiken. Sepse shpëtimi i hebrenjve nga shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni gjatë LDB ishte realitet dhe çdo sforcim i kësaj teme për efekte propagandistike, siç po vepron Vuçiqi, do të dilte si bumerang. Por, në anën tjetër, nuk mund të thuhet se Prishtina e Tirana zyrtare kanë bërë mjaft në këtë drejtim, përpos ITSHKSH në Shkup që po merret me përkushtim shkencor me çështjen e studimit të Holokaustit.

Prandaj na duket aq absurde që një president serb të tregohet aq i zgjuar në kthimin e çështjes hebreje si adut i pozicioneve politike në këtë fazë delikate në të cilën ndodhet rajoni, ku lobi hebre në SHBA e ka fjalën kryesore, ndërkohë që pozicioni shqiptar pas çlirimit të Kosovës ka shënuar njëfarë defanzive në planin lobues, paçka se simpatia hebreje për popullin shqiptar ka qenë dashur të vendoset në suaza të një kornize institucionale.

Në prag të 77 vjetorit të deportimit të hebrenjve nga Monopoli i Shkupit në kampin famëkeq të Treblinkes, politika shqiptare ka nevojë të flet me një zë sa i përket institucionalizimit të miqësisë me popullin hebre, duke vënë në dispozicion të gjitha resurset shkencore, financiare e humane në ngritjen e qendrave memoriale në kujtim të viktimave dhe të mbijetuarve të Holokasutit, por edhe në kujtim të gjithë atyre (shumica familje shqiptare nga Shkupi) që iu ndihmuan hebrenjve të shpëtojnë nga dora vrastare e nazistëve.

Lexo edhe

Video

error: