Vuçiq thotë se po hetojnë sulmin në Zubin Potok
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Aleksandar Vuqiq
1 ditë më parë
Linku u kopjua

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka komentuar sulmin terrorist në Zubin Potok, duke thënë se kanë dyshimet e tyre për organizimin e këtij sulmi dhe se hetimet do të tregojnë se kush e ka dhënë urdhërin.

Vuçiq në një konferencë për media tha se "dje ka pasur tentativë për një sulm të ashpër hibrid ndaj Serbisë".

Përkundër faktit që aksioni i Policisë rezultoi me 8 persona dhe konfiskimin e një numri të madh të armatimit, ai tha se nuk ka arritur të dëgjojë shumë fakte.

“Dje ka pasur një tentativë për një sulm të madh dhe të ashpër hibrid ndaj vendit tonë. Duke qenë se kemi ndjekur me kujdes gjithçka që është njoftuar nga zyrtarët e Prishtinës dhe sponsorët e tyre ndërkombëtarë, si dhe mediat e tyre, nuk kemi mundur të dëgjojmë shumë fakte. Askush nuk do të krijonte një strukturë të tillë. Dhe ne si vend serioz nuk u morëm me akuza. Nuk thamë, as sot nuk them  drejtpërdrejt urdhëroi Kurti. Kemi dyshime të caktuara, hetimi do të tregojë se kush e ka urdhëruar. Mendojmë se kemi disa informacione se kush mund të jetë autori”, tha ai.

Ai foli edhe për aksionin e Policisë së Kosovës, duke thënë se "ishte një shfaqje", pasi sipas tij, kështu nuk bëhet një hetim serioz.

Përndryshe, një shpërthim ka ndodhur mbrëmë në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut dhe ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Sulmi ndodhi pak orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se i ka rritur masat e sigurisë në nivel vendi.

Kjo u bë pasi gjatë ditëve të fundit pati disa incidente.

Bandat kriminale me mbështetje të Beogradit zyrtar thuhet se janë prapa këtij shpërthimi në veri të vendit.

Pas sulmit, autoritetet e Kosovës thanë se për shkatërrimin e kanalit ishin përdorur 15 kilogramë eksploziv.

Dëmi u konsiderua serioz dhe u shkaktuan ndërprerje të furnizimit me ujë për disa qytete dhe po ashtu për Korporatën Energjetike të Kosovës.

“Është mund të themi lirisht akti më i madh ndaj infrastrukturës kritike që nga përfundimi i luftës në Kosovë", tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Nga Prishtina, në një konferencë urgjente, kryeministri Albin Kurti tha se sulmi ishte terrorist dhe i organizuar nga bandat kriminale e me mbështetje të Beogradit zyrtar.

Natën e së premtes uji ishte ndërprerë për termocentralet dhe disa komuna. Megjithatë, me ndërhyrjen e shpejtë në sanimin e dëmeve, është arritur që termocentralet të furnizohen me ujë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024