Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka treguar sot se pse nuk e ka nënshkruar të shtunën në Ohër marrëveshjen dhe as aneksin implementimit, derisa ka potencuar se Serbia është e gatshme të punojë në implementim, deri te vijat e saj të kuqe.
Vuçiq ka thënë se nuk mund të bëjë marrëveshje ndërkombëtare me Republikën e Kosovës.
“Para së gjithash, sepse Republika e Serbisë është një vend i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa ajo siç e quajnë Republika e Kosovës, për mua nuk është e njohur ndërkombëtarisht. Nuk dua të bëj marrëveshje ndërkombëtare me Republikën e Kosovën”, është shprehur ai.
Si vija të kuqe të Serbisë, Vuçiq ka përmendur kundërshtimin e pranimit të Kosovë si shtet pavarur dhe praninim e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Sipas tij, askush s’mund t’i vë kusht Serbisë për atë që ajo s’e ka pranuar.
Ai ka dhënë detaje edhe për mosspajtimet lidhur me të pagjeturit, edhepse për këtë çështje, ata janë pajtuar që të angazhohen për marrëveshjen e 18 gushtit të vitit të kaluar.
Kujtojmë që, Kosova dhe Serbia të shtunën në mbrëmje janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërsh nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë./KosovaPress