Vuçiq mohon se do të ketë takim me Kurtin

Vuçiq mohon se do të ketë takim me Kurtin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i mohoi deklaratat e zyrtarëve në Kosovë se një takim i tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pritet të zhvillohet së shpejti në Bruksel.

Vuçiq tha se mesazhet që vijnë nga Prishtina për një takim të mundshëm me Kurtin, nuk janë të vërteta.

“Askush nuk më ka pyetur për bisedime. Unë nuk ik nga asnjë takim. Kryesisht ai [Kurti] ka ikur nga takimet”, tha Vuçiq në një konferencë për gazetarë, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.


Takimin e ri Kurti-Vuçiq në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë e ka përmendur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media më 4 korrik.

Vuçiq shtoi se Serbia është e përkushtuar për paqe dhe se nuk do ta harrojë popullin e saj në Kosovë.

“Lexoj në shtypin e Prishtinës se Vuçiq po kërcënon. Me çka? Serbisë i duhet paqe, nuk ka nevojë për konflikte, ka nevojë për zhvillim. Ne nuk mendojmë se është e mundur të arrihet diçka me luftë apo me mjete ushtarake”, tha ai.

Lexo edhe

Video