Vuçiq: Kam turp të flas për njohjen e Kosovës në prag të Vidovdanit

Vuçiq: Kam turp të flas për njohjen e Kosovës në prag të Vidovdanit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mohoi pretendimet se Serbia do të njohë pavarësinë e Kosovës në prag të Ditës së Vidovdanit.

“Kam turp të përgjigjem që Serbia e njeh Kosovën në prag të Vidovdanit. Kam turp, pasi kjo flet më shumë rreth tyre. Asnjëherë nuk do të jetë temë. Kjo flet për ato që kanë bërë të tjerët”, tha ai.

Vuçiq theksoi se janë duke kaluar një periudhë të vështirë, e cila do të fillojë me ardhjen e emisarit evropian për dialogun Mirosllav Lajçak.

“Kam biseduar me Putinin dje, kemi pasur një bisedë të gjatë. Një ditë pas zgjedhjeve, po vjen Lajçak, një ditë pas kësaj unë do të shkoj në Moskë. Dy ditë pas kësaj ne duhet të biem dakord se cili delegacion shkon në Uashington. Disa ditë pas kësaj mendoj se do të ketë edhe disa takime të rëndësishme për të cilat ne nuk mund të flasim, sepse ata na thanë kështu,” tha Vuçiq.


Vuçiq deklaroi se duhet të pritet të shihet nëse shqiptarët e Kosovës do t’i binden kërkesës së emisarit amerikan Richard Grenell për heqje dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.

“Mos harroni se Thaçi kurrë nuk donte ta pranonte këtë. Për katër vjet unë e ofrova atë, për katër vjet ai këmbënguli sepse gjithmonë kishte një fushatë të tmerrshme kundër nesh. Për katër vjet ata nuk e pranuan atë, dhe tani ne befas jemi informuar se ata kanë pranuar. Kjo mbetet të shihet”, tha ai.

Siç deklaroi ai, ekziston një konflikt i madh midis Amerikës dhe Gjermanisë, por është e rëndësishme që Serbia të ndjekë një politikë më të zgjuar sesa ajo më parë në lidhje me fuqitë e mëdha.

“Pavarësisht se si përfundon, është e rëndësishme që ne të mbetemi të padëmtuar në ‘luftën e elefantëve’. Ne nuk do të luftojmë me Gjermaninë dhe Amerikën”, tha Vuçiq.

I pyetur nëse mundësia e paralajmëruar që Prishtina zyrtare të heqë dorë nga kërkesa për njohje në organizatat ndërkombëtare, mund të nënkuptojë se nuk ka zgjidhje pa kompromis, presidenti Vuçiq tha se ‘ekziston një lojë e madhe midis lojtarëve të mëdhenj në bashkësinë ndërkombëtare, për të cilën serbët dhe shqiptarët janë shumë të vegjël, derisa nga ana tjetër, shqiptarët po udhëheqin lojërat e tyre të brendshme’.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.